Ish këshilltari i Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi ka thënë se po të ishte Kurti opozitë e qeverisë që ai e drejton, do të kishte shumë hapësirë për të kundërshtuar qeverisjen që po e bën vetë.
Shkelzen Gashi, që ka qenë këshilltari i Kurtit gjatë qeverisjes së tij të parë, e ka komentuar një video, të cilën e ka publikuar kryeministri për 9 mujorin e Qeverisë “Kurti II”.Gashi hamendëson se kur e ka parë kryeministri Kurti videon e “arritjeve” të tij, me siguri se ka menduar se si do të kishte fort hapësirë për ta kritikuar, po të ishte opozitë.
“sa e pashë këtë ‘9 muaj qeveri në një video të përmbledhur”, thashë vetmevete, garant kur e ka pa kryeministri këtë video, ka thanë “s’jom n’opozitë se e kisha sosë qet qeveri’”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Kryeministri Kurti, po shënon 9 muaj në pushtet, e për të shënuar këtë ditë, kryeministri ka mbledhur disa prej arritjeve që ai i konsideron se janë bërë në këtë cikël kohor.
Në mes të krizës energjetike, që ka nisur zinxhirin e krizave të tjera, Kurti ka përmendur si arritje të Qeverisë së tij sigurimin e vaksinave anti-Covid, mbështetjen për lehonat dhe shtesat për fëmijë të porsalindur. Përmenden edhe aksionet e Policisë të kryera nën dyshimet për krim dhe kontrabandë, si dhe reciprociteti me ‘stickers’, me Serbinë dhe disa të tjera.







