Gashi për deklaratat e Gërvallës në Kuvend: Të tepruara dhe të panevojshme

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar sot se deklarimet e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, në seancën e sotme të Kuvendit, janë të panevojshme.

Gashi në një konferencë për media ka deklaruar se deputetët duhet të jenë të kujdesshëm kur flasin për krimet e luftës dhe krerët e UÇK’së që janë në Hagë.

“Mendoj se janë deklarime të tepruara dhe të panevojshme. Ato deklarime në atë mënyrë dhe gjuhë në Kuvendin e Kosovës rrallë herë janë dëgjuar, mendoj se Kuvendit i duhet më shumë qetësia, demokracia dhe liria, e jo absolutizmi i shprehur nga foltorja e Kuvendit apo pozita e ministrave apo qeveritarëve. Jemi në një proces ku duhet të jemi të kujdesshëm, e mbi të gjitha duhet të jemi të kujdesshëm për rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës dhe personat që janë arrestuar”, ka deklaruar Gashi.

Ndryshe, deputet e opozitës sot kanë diskutuar me tensione me ministren e Jashtme Donika Gërvallën, e cila gjatë fjalimit të saj në Kuvend i akuzoi deputetët e PDK-së se vetë e kanë krijuar Gjykatën Speciale dhe i kanë dërguar në Hagë ish-bashkëluftëtarët.