Gashi paralajmëroi rrëzimin e Qeverisë, Çitaku: S’i kemi numrat, atë mund ta bëj vetëm Kurti

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka deklaruar se PDK-ja është e gatshme për zgjedhjet e reja parlamentare kurdo që mbahen ato.

Një deklaratë e tillë pason pas paralajmërimeve të fundit nga kampi i LDK-së, veçanërisht prej shefit të ligjvënësve të këtij subjekti politik, Arben Gashi, i cili të mërkurën mbrëma tha se Qeveria Kurti 2 do të bie gjatë vjeshtës.

Megjithatë, Çitaku në një bisedë telefonike me Paparacin theksoi se partitë opozitare nuk i kanë tamam numrat që ta rrëzojnë kryeministrin Albin Kurti nga pushteti.

Por, shtoi se ekzekutivin mund ta rrëzoj vetëm shefi i saj, Albin Kurti.

“Aktualisht Qeverinë Kurti mund ta rrëzoj vetëm Albin Kurti. Ne si Parti Demokratike e Kosovës jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje kurdo që mbahen ato”, theksoi ajo të enjten për Paparacin.

“Çfarëdo deklarate tjetër do të ishte ose dëshirë ose spekulim. Opozita tash nuk i ka numrat që ta rrëzojë qeverinë”, theksoi ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, teksa paralajmëroi se për të ardhmen nuk i dihet se si mund të rrjedhin gjërat, rrjedhimit tek një mocion i mos-besimit apo jo ndaj Qeverisë Kurti.

Të enjten, po ashtu, shefja e deputetëve të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila iu kundërpërgjigj homologut të saj nga Lidhja Demokratike, Arben Gashi, duke e quajtur “të pavlefshme” deklaratën e tij pas paralajmërimit për prishjen e koalicionit qeverisës.

Në një intervistë televizive të mërkurën, Gashi i LDK-së tha se janë të paktën tetë deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët dëshirojnë t’i bashkëngjitën Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kusari-Lila ka thënë se nuk ka asnjë informatë të kësaj natyre, derisa ka thënë se nuk ka pasur shprehje të vullnetit e as pakënaqësi nga deputetët e LVV-së.

“Skam asnjë informatë të asaj natyre, nuk ka pasur as shprehje të vullnetit as pakënaqësi të dikujt në grup për me qenë kjo deklaratë e vlefshme, nga ana jonë pra situate është në rregull”, ka thënë Kusari-Lila.

Sidoqoftë, dje pati përplasje ndërmjet deputetes Duda Balje dhe atij të LVV-së Armend Muja, pasi që ky i fundit ka kërkuar përjashtimin e deputetes Balje nga Komisioni Hetimor për Energjinë.

E për ta sqaruar tërë situatën e krijuar, deputetja Balje ka thënë të mërkurën se po e pret kryeministrin Albin Kurti që të kthehet nga ShBA-ja për të diskutuar çështjen e koalicionit.