Seancë

Gashi: Ministri i Financave të ndalojë duke shpifur se LDK nuk po i përkrah marrëveshjet Ndërkombëtare

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka demantuar deklaratën e ministrit të Financave, Hekuran Murati i cili pati thënë se LDK-ja është kundër marrëveshjeve Ndërkombëtare.

Gashi gjatë seancës plenare ka thënë se deklarata të tilla janë të pasakta.

“Në vazhdimësi kemi pa shpifje dhe të pavërteta nga ministri i Financave, i cili deklaron në Facebook se grupi parlamentar i LDK-së nuk po i përkrah marrëveshjet ndërkombëtare, e që është e pavërtetë. Ne i kemi përkrah përveç marrëveshjes me OPEC-un, të gjithë marrëveshjet tjera”, ka thënë Gashi.

Ai po ashtu tha se “ mendoj që është e padrejtë, e pasaktë dhe e pa duhur dhe nuk i kontribuon ndërtimit të një konsensusi në Kuvend për kalimin e këtyre projektligjeve. Duhet me u ndalë mos me rrejt më ministri i Financave për këto çështje”, tha Gashi.