Gashi: Me qëllim apo jo, punët e VV-së dhe Kurtit shkojnë në shërbim të Serbisë

Analisti, Dardan Gashi, mendon se me qëllim apo jo, puna e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti shkojnë në shërbim të Serbisë.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës mendon kështu duke komentuar videon e publikuar dje nga VV-ja e cila i akuzon pushtetet e kaluara se e kanë shkatërruar shtetin.

“Kjo video është në shërbimi të armiqve të Kosovës në prag të vendimit për liberalizim të vizave, për t’iu rikujtuar se Kosova është vend i krimit. Efektet e punës, kur i bënë VV-ja dhe Albin Kurti, më qëllim apo pa qëllim shkojnë në shërbimi të Serbisë”, ka thënë Gashi në RTV Dukagjini.

Gashi ka aluduar se ai nuk beson se video e publikuar nga Lëvizja vetëvendosje ka të bëjë me zgjedhjet por sipas tij, është për shkak të mos suksesit dhe mos punës së Qeverisë Kurti II.

“Pikërisht kjo qeveri është duke prodhuar emergjenca një mbas një dhe situata të krizës të pa nevojshme të pa arsyeshme, për mos me u marrë me shtet dhe problemet e këtij vendi , si p.sh intervenimet në veri të Kosovës që në fund ma shumë kanë dalë se kanë qenë “PR” dhe tërheqje e vëmendjes sesa kanë pas ndonjë efekt të posaçëm atje por vetëm sa u përkeqësuar situata dhe prezenca e Serbisë vetëm është forcuar atje”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, Kurti në çdo intervistë të tij flet për mundësin e luftës për Gashin ai e bënë këtë për të krijuar emergjenca dhe propagandë për t’i ikur përgjegjësi dhe për ta mbuluar atë me psikozën e luftës.

“Kjo qeveri ka bërë eskalim total gjë që se ka bërë as një qeveri më herët. Thyerje përçarje me të madhe nuk ka pasur asnjë herë më parë në ketë vend”, ka vlerësuar Gashi.