Gashi: Ligji për sponsorizim do të thotë më shumë medalje për Kosovën

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se nëse të enjten në Kuvendin e Kosovës mundësohet harmonizimi i Ligjit për të ardhurat e korporatave me Ligjin për sponsorizim, për sportin dhe kulturën në Kosovë do të hapej një dritare e re.

Sipas tij, ky harmonizim do t’i sillte Kosovës më shumë medalje sporti e çmime ndërkombëtare në kulturë.

“Në seancën e nesërme të thirrur do të votohet më në fund harmonizimi i Ligjit për të ardhurat e korporatave me atë për sponsorizim. Të gjitha të tjerat punë i kemi kryer. Kemi nxjerrë rregulloren që tregon qartë rrugën për implementimin. Votimi nesër hap rrugë të re për implementimin dhe është dritare e re në shërbim të zhvillimit të kulturës e sportit. Kjo do të thotë më shumë medalje për Kosovën e çmime ndërkombëtare për ata që performojnë. Nesër ky harmonizim do të ndodhë dhe do të jetë lajm i mirë për të gjithë sportistët”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se ligji për sponsorizim është në interes të klubeve sportive, institucioneve komunale e kompanive private. Sipas tij, rreth 10 milionë euro subvencione ndahen tash nga ministria që ai udhëheq. Siç ka thënë ai, sipas matjeve, ka rezultuar se rreth 30 milionë euro mund të investohen përmes Ligjit për sponsorizim “e nëse u shtohen subvencioneve të ministrisë edhe 30 milionë do të shihet qartë zhvillimi”.

Gashi ka thënë se ligji parasheh përqindje më të lartë subvencioni për sport dhe kjo tash nuk mund të ndryshohet.

“Në Kuvend kur është votuar para dy vitesh në një moment aty për aty deputetët kanë propozuar që të rritet pjesa e sportit, që ndoshta atëherë është pa si mundësi tjetër në raport me kulturën. Edhe sot mendoj se për të gjitha dikasteret është dashur të jetë e njëjtë, por ishte vendim i Kuvendit. Aktualisht kjo s’mund të ndryshojë. Ka filluar implementimi e të gjitha aktet i kemi parapa me atë ligj”, ka deklaruar më tej Gashi.

Ai ka përsëritur se nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të rregullohet me ligjin e ri, puna e teatrove dhe se të gjithë aktorët e teatrove në Kosovë do të jenë punëtorë të MKRS-së.