Gashi: LDK nuk bashkëpunon me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i quan shpifje dhe lajme të rreme, se kinse ai ka deklaruar se do ta përkrahin Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë.

Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ai ka deklaruar se “LDK nuk do të bashkëpunoj me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë Kurti”.

“Një gjë s’duhet harruar kurrë; ne mund të jemi kundërshtarë politik, mund t’i kemi dallimet tona, mirëpo për kombin e shtetin jemi bashkë përherë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Gashit:

“STOP propagandës, mashtrimit e shpifjeve!

Kuzhina shpifëse pro pushtet po shpërndan lajme të rreme, kinse unë kam deklaruar se do ta përkrahim Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë. Gënjeshtër e kulluar. E pavërtetë e madhe. Gënjeshtra, shpifja e mashtrimi nuk janë në kulturën tonë, ato kanë qenë e janë pjesë e kulturës së kundërshtarëve të kombit e shtetit tonë.

Ta çmojmë e respektojmë etikën si dhe ta ruajmë traditën tonë shqiptare; ta themi të vërtetën.

Deklarata ime, përkatësisht lajmi i vërtetë, bashkë me përmbajtjen e vërtetë, është si në vijim: LDK nuk do të bashkëpunoj më Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Një gjë s’duhet harruar kurrë; ne mund të jemi kundërshtarë politik, mund t’i kemi dallimet tona, mirëpo për kombin e shtetin jemi bashkë përherë”, ka shkruar Gashi.

Ndryshe, ditë më parë Gashi ka thënë se në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2, pasi sipas tij në shenjë pakënaqësie, tetë deputetë të koalicionit qeverisës pritet të kalojnë në LDK.

“Në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2″, ka deklaruar Gashi, duke thënë se koha e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për një qeverisje komode ka skaduar. /Telegrafi/