Kuvendi i Kosovës

Gashi: LDK i voton të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, marrëveshjen me OPEC’un jo

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi ka reaguar në Facebook pas përplasjeve të sotme në Kuvend ku Kryeministrit Kurti dhe Ministrat refuzuan t’u përgjigen pyetejeve parlamentare pasi sipas tyre partitë opozitare po refuzojnë t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Gashi ka shkruar se e “vërteta” është që LDK i ka votuar edhe i voton të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare përvec marrëveshjes me OPEC-un – “ngase një pjesë e madhe e anëtarëve të kësaj organizate janë shtete diktatoriale, të cilat duan të na imponojnë një sistem fiskal që është i kundërt me atë të vendeve demokratike – partnere të Kosovës; është sistem i kundërt me atë të FMN-së dhe Bankës Botërore”.

Gashi ka shkruar se refuzimi i Qeverisë për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare është “momentum i ri i ri, i papranueshëm, kundërkushtetues dhe cenim i demokracisë”

Postimi i plotë i Gashit
E vërteta.

E vërteta është se LDK i voton dhe i ka votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

E vërteta është se edhe dje LDK i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

E vërteta është se LDK vetëm marrëveshjen me OPEC-un nuk e voton, ngase një pjesë e madhe e anëtarëve të kësaj organizate janë shtete diktatoriale, të cilat duan të na imponojnë një sistem fiskal që është i kundërt me atë të vendeve demokratike – partnere të Kosovës; është sistem i kundërt me atë të FMN-së dhe Bankës Botërore.

E vërteta është se partia në pushtet është e dëshmuar se kur është në opozitë nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare.

E vërteta është se edhe përkundër kësaj asnjëherë nuk i është mohuar e drejta e pyetjeve parlamentare.

E vërteta është se në Kuvend, ne edhe sot jemi parti opozitare të ndryshme.

E vërteta është se ne sot e kemi lëshuar seancën pasi që Qeveria ka refuzuar që t’u përgjigjet pyetjeve parlamentare.

E vërteta është se sjellja e sotme e Qeverisë është një ogur i keq për demokracinë.

E vërteta është se Qeveria në mënyrë arrogante nuk dëshiron me iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

E vërteta është se Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve parlamentare; kjo e vërtetë është momentum i ri, i papranueshëm, kundërkushtetues dhe cenim i demokracisë.

E vërteta është se edhe në rrethana të vështira, si pasoj e veprimeve joligjore dhe antikushtetuese të partisë që sot është në pushtet, Kuvendi e ka kryer punën e vet në mënyrën demokratike.

E vërteta është se shumica nuk po i ka numrat me qeverisë. E vërteta është se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar.

E vërteta është se nuk është problemi te opozita, është te pozita, sepse pushteti e ka përgjegjësinë e udhëheqjes.

E vërteta është se ky pushtet në ndërdijen e vet e ka zhdukjen e mendimit ndryshe, kundërshtarit politik, dhe kjo është e dëmshme për demokracinë dhe Kosovën.

E vërteta është se Kurti sot i ka bërë katër vjet si kryeministër dhe rezultati i punës së tij është zero; asnjë rezultat, asnjë sukses, mungesë zhvillimi ekonomik, tentim të kapjes së institucioneve, sanksione ndërkombëtare, korrupsion, krim i organizuar etj.

E vërteta është se kjo nuk është qeverisja që i duhet Kosovës.