Gashi: Kosova është me fat që ka një vend mik si Gjermania

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë një vizite në Berlin ka thënë se Kosova është me fat që ka një vend mik si Gjermania.

Sipas një njoftimi nga MKRS-ja, Gashi është takuar me të ngarkuarin e Ministrisë së Jashtme për Ballkanin, Christian Hellbach.

Me të, sipas njoftimit, kanë diskutuar për situatën aktuale në Kosovë, procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Gjermanisë.

“Ministri Gashi i ka prezantuar Ambasadorit Hellbach edhe projektet aktuale në të cilat Kosova është angazhuar në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit dhe ka shprehur interesin që ky bashkëpunim mes dy qeverive të thellohet edhe më tutje”, thuhet në njoftim.

“Kosova çmon dhe vlerëson lart rolin e Gjermanisë për peshën dhe rëndësinë që i ka dhënë procesit të dialogut”, ka thënë mes tjerash Gashi.

Gashi ka ngritur çështjen e anëtarësimit të Kosovës në rrjetin Traduki, duke thënë se ndihma e Berlinit në procesin e anëtarësimit konsiderohet si një nevojë e domosdoshme për vendin.

Po ashtu nga ana e Hellbachut, sipas njoftimit, u kërkua mbështetje për hapjen e Institutit Goethe në Kosovë, “marrë për bazë faktin se në shtetin gjerman jetojnë rreth 400 mijë shtetas kosovar dhe ku Gjermania paraqet jo vetëm mikun por edhe partnerin tonë kryesor në Evropë”.

“Hapja e Institutit Goethe në Kosovë do të rrisë edhe më tutje bashkëpunimin në fushë e kulturës”, vlerësoi Gashi.

“Kosova është me fat që ka një vend mik siç është Gjermania, roli i së cilës është jetik nëpër të gjitha zhvillimet nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës”, është shprehur ai pas përfundimit të kësaj vizite.