Albin Kiurti

Gashi kërkon dokumentet e statutit të Asociacionit: Deputetët e pushtetit e kanë parë, ne dhe populli në terr

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka shkruar në Facebook se Qeveria s’po e respekton obligimin për të raportuar para dhe pas çdo rundi të bisedimeve me Serbinë.

Gashi shkroi se populli ka mbetur “në terr”, ndonëse kryeministri Albin Kurti e ka pranuar statutin e propozuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai tha se ka kërkuar nga krerët e shtetit qasje në dokumente zyrtare për ta parë propozimin për Asociacionin.

“Terri vazhdon. Edhe kur kryeministri publikisht e pranon statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, ne dhe populli jemi ende në terr”, shkroi Gashi.

“Dikur, bashkë kishim nxjerrë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, ku specifikohet qartë se Qeveria duhet të raportoj para dhe pas çdo raundi të bisedimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, mirëpo Qeveria ka vendosur që të mos e respektoj këtë obligim. Qeveria ka vendosur që të na le në terr”, shtoi ai.

Gashi shkroi se sipas deklarimeve të deputetëve në pushtet, konstatojnë “se ata i kanë parë dokumentet lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”. Tha se “vetëm ne si opozitarë dhe populli nuk i kemi parë këto dokumente për këtë temë”.

“Ndërkaq, më 03.11.2023 (ditën e premte), do të mbahet seanca raportuese e kryeministrit lidhur me pranimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. E, sot, në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, iu kam dërguar krerëve të pushtetit një kërkesë për qasje në dokumente zyrtare, përkatësisht për dokumentet e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin kryeministri tashmë veç e ka pranuar edhe publikisht”, shkroi Gashi.

“Le të shpresojmë se ky pushtet do ta respektoj të drejtën e deputetëve, dhe më së largu deri të enjten, pra një ditë para seancës raportuese të kryeministrit për këtë temë, të na ofroj dokumentet e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”, shtoi ai.