Pas Hajdarit

Gashi i AKP-së sqaron dorëheqjen nga pozita e kryetarit të Bordit

Kryetari i Bordit të AKP-së Petrit Gashi ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si kryetar i Bordit të drejtorëve të AKP-së.

Gashi nëpërmjet një komunikate për media ka sqaruar vendimin për të dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.Sipas tij krejt kjo vjen si pasojë e shkarkimit të drejtorit menaxhues Ekrem Hajdari pasi që konsideron se shkarkimi i tij është i pabazë. Gashi e ka kundërshtuar shkarkimin e Hajdarit duke e konsideruar si veprim me pasoja për Agjencinë.

“Motivet reale të shkarkimit të z. Hajdari besoj se do të bëhen të qarta për publikun me përzgjedhjen e pasardhësit të z. Hajdari. Mirëpo, jam i obliguar t’i sqaroj publikut të arriturat e Agjencisë gjatë kohës sa ky i fundit ka qenë drejtor menaxhues i Agjencisë. Raportet vjetore të Agjencisë dhe raportet e Auditorit të Përgjithshëm tregojnë që rezultatet e shënuara nga Agjencia në vitin 2017 janë më të mirat në historikun e Agjencisë. Gjatë këtij viti Agjencia ka shitur me shumë asete se ndonjëherë më parë, ka grumbulluar fonde më shumë, ka tërhequr më shumë investitorë, dhe ka ngritur çmimin e shitjes së aseteve. Për më tepër, asetet e uzurpuara gati janë elimuar në tërësi. Të arritura të ngjashme janë evidentuar edhe në inkasimin e qirasë, transferet e 20 përqindëshit të punëtorëve, dhe në trajtimin e kërkesave kreditore. Me amandamentimin e Ligjit për Agjencinë, është bërë e mundur shpërndarja e fondeve të bllokuara të privatizimit, çështje kjo që është debatuar gjatë në Kosovë. Ndryshimet në legjislacion kanë bërë të mundur edhe pagesën më të lehtë të shpronësimeve nga ana e Qeverisë por edhe të institucioneve të tjera. Edhe brenda vet Agjencisë janë ndërmarrë hapa serioz në drejtim të rritjes së efiçiencës”, thuhet në letrën e Gashit.

Ai thotë se këto rezultate janë produkt i punës dhe i bashkëpunimit të plotë në mes të menaxhmentit dhe Bordit të Drejtorëve.

“Mirëpo, largimi i drejtorit menaxhues, për mua si kryesues i Bordit, nënkupton shkëputjen e lidhjes në mes të këtyre dy mekanizmave kryesor të Agjencisë, e që besoj se është qenësore për punën e mëtejme të Agjencisë. Për më tepër, arsyetimi i pabazuar se shkarkimi është rezultat i rezultateve të dobëta të punës, ka zbehur besimin tim se mund të punohet më tutje në interesin e përgjithshëm të Agjencisë. Rrjedhimisht, sot i kam dorëzuar dorëheqjen time si Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, thuhet në letrën e Petrit Gashit.