Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka thënë se pjesëmarrja e tij në darkën me kolegjet private ka qenë në kuadër të agjendës për Konferencën ndërkombëtare që është mbajtur në shtator të vitit të kaluar.

Ai ka thënë se nuk sheh asnjë konflikt interesi pjesëmarrja në këtë darkë. 

“Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të AKA, unë kam marrë pjesë në një darkë zyrtare, e paraparë me agjendë (shih agjendën bashkëngjitur) në kuadër të Konferencës ndërkombëtare të AKA-së të mbajtur më 26 shtator 2023”. Në këtë darkë kanë qenë të paktën 70 veta, të gjithë të ftuar me ftesa zyrtare, duke përfshirë të gjithë rektorët e universiteteve publike dhe private. Në këtë darkë kanë marrë pjesë edhe donatorët e AKA-së, përfaqësuesit e shoqërisë civile si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë: Presidenti dhe drejtori i EQAR-it, Zëvendës presidentja dhe drejtori për vlerësim i ENQA, Drejtori i agjencisë gjermane ASIIN, etj.

Në këtë darkë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës.  Si konkluzion, nuk shoh asnjë konflikt interesi pjesëmarrja në një darkë me të paktën 70 të ftuar, me agjendë ndërkombëtare, në qendër të Prishtinës”, ka thënë Gashi për Ballkani.info.

Sipas tij, përveç kësaj darke zyrtare, “asnjëherë nuk kam darkuar me institucionin e apostrofuar”.

Gashi, është rizgjedhur për herë të dytë në krye të këtij agjencioni të lartë të arsimit. Ndërsa, është mbikqyrës direkt i Universiteteve Publike dhe kolegjeve private, pjesmarrja e tij në një darkë me drejtuesit e një kolegji privat është konsideruar konflikt interesi nga IKD dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.