Gashi e ngushton kryetarin e LDK-së, propozon që Mustafa e Kurti të bëjnë bashkë homazhe te Demaçi e Rugova

Politologu e historiani Shkëlzen Gashi, ka bërë një propozim drejt Isa Mustafës së LDK-së dhe Albin Kurtit të LVV-së, para se ata të lidhin koalicion parazgjedhor, për zgjedhjet që pritet të mbahen në vjeshtë.

Ai ka thënë se të dy bashkë duhet të bëjnë homazhe te varri i Adem Demaçit dhe Ibrahim Rugovës, të cilët edhe ashtu ndodhen afër njëri-tjetrit në lagjen Velania të Prishtinës.

“Duke qenë se qëndrimi i LDK-së ndaj Adem Demaçit është pothuajse i ngjashëm me qëndrimin e Vetëvendosje!-s ndaj Ibrahim Rugovës, propozimi im është që Albin Kurti dhe Isa Mustafa t’i vizitojnë bashkë fillimisht varrin e Adem Demaçit e më pas varrin e Ibrahim Rugovës, që gjendet pak metra më tutje”, ka thënë Gashi, duke shtuar se “kështu, Kurti e Mustafa e eliminojnë këtë pozicion të parëndësishëm nga loja dhe e mbrojnë interesin e Kosovës duke krijuar koalicion parazgjedhor”.

Më poshtë është postimi i plotë i Gashit:

“’Kontributi i John Kerry-t në luftën e Vietnamit ka qenë heroik në krahasim me shërbimin tim në aviacionin amerikan”. Kështu pat deklaruar George Bush-i për kundërkandidatin e tij në zgjedhjet presidenciale në ShBA. Me këtë Bush-i pat eliminuar nga loja një pozicion që nuk ishte i rëndësishëm dhe që i sillte dëm fushatës elektorale.

Arbën Xhaferi tregonte se në një seminar për negociata, të organizuar nga një fondacion amerikan, ekspertët amerikanë u kishin mësuar politikanëve të Ballkanit që në negociata nuk duhen mbrojtur pozicionet, por interesat.

Më ka rënë shpesh të dëgjoj ‘politikanë’ nga radhët e LDK-së, që i kërkojnë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ta vizitojë varrin e Ibrahim Rugovës nëse dëshiron koalicion me LDK-në.

Ky është një pozicion krejt i parëndësishëm që Kurti duhet ta eliminojë nga loja sa më parë.

Duke qenë se qëndrimi i LDK-së ndaj Adem Demaçit është pothuajse i ngjashëm me qëndrimin e Vetëvendosje!-s ndaj Ibrahim Rugovës, propozimi im është që Albin Kurti dhe Isa Mustafa t’i vizitojnë bashkë fillimisht varrin e Adem Demaçit e më pas varrin e Ibrahim Rugovës, që gjendet pak metra më tutje.

Kështu, Kurti e Mustafa e eliminojnë këtë pozicion të parëndësishëm nga loja dhe e mbrojnë interesin e Kosovës duke krijuar koalicion parazgjedhor.

loading…