Gashi: Arrestimi i Haki Rugovës i pabazuar ligjërisht, tendencë politike ndaj LDK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka folur për përfaqësimin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, për kritikat e opozitës ndaj Qeverisë Hoti, për përfshirjen e mundshme të PDK-së në Qeveri, zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, mundësinë për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe për deklarimin për media që e bëri shefit i LDK-së, Isa Mustafa për arrestimin e kryetarit të Istogut, Haki Rugova.

Gashi foli në lidhje me deklarimin për medie që bëri i pari i LDK-së, Isa Mustafa për arrestimin e nënkryetarit të kësaj partie, Haki Rugova.

Ai tha se nuk mund të konsiderohet ndërhyrje në drejtësi deklarimi i Mustafës, pasi sipas Gashit arrestimi i Rugovës nuk është i bazuar ligjërisht dhe siç tha ai “shihet që ka tendencë politike ndaj Rugovës dhe LDK-së”.

“Ka indice të bazuara se arrestimi i Haki Rugovës është i pabazuar ligjërisht. Baza juridike për arrestim nuk ekziston. Nëse i merr të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare e sheh që Kosova qëndron më së keqi sa i përket arrestimeve sepse: arrestohet njeri, i bëhet gjyqi publik edhe në fund dalin të pafajshëm. Për këtë arsye kjo është shpërfaqje e problemeve në sistemin e drejtësisë. Unë nuk po e vlerësoj nëse zotëri Rugova ka lidhje shkak-pasojë se do të vendosë gjykata në fund, por procesi si proces si është menaxhuar, shihet që ka tendencë politike ndaj zotit Rugova dhe LDK-së edhe dalja e zotëri Mustafës është me këtë qëllim”, tha Gashi për Telegrafin.

Gashi tha se Kosova e ka numrin më të lartë të arrestimeve të paligjshme që bëhen nga institucionet e Policisë dhe drejtësisë.

“Qohen në mbajtje njerëzit, dëmtohen politikisht dhe publikisht, dhe pas katër apo pesë vitesh dalin të pafajshëm. Dalja e pafajshme pas pesë vitesh, ia kanë shkatërru jetën dikujt. Duhet me pas parasysh që kur bëhet një urdhër për arrest, duhet me ekzistu dyshimi i bazuar se ajo vepër penale në fund ka me dal me u gjyku e dënu”, tha Gashi.

Ai u shpreh se duke i ditur të gjitha rrethanat e ngjarjes, nuk mund të arrestohet askush e pastaj të mblidhen provat në lidhje me ato dyshime, por që duhet të bëhet e kundërta.