Garda Kombëtare angazhon 10 mijë ushtarë për inaugurimin e Bidenit

Ceremonia e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, do të duket krejt ndryshe prej të kaluarave, për shkak se trazirat e javës së kaluar kanë shtyrë autoritetet e sigurisë që të marrin masa ekstreme në krejt rrethinën e kryeqytetit amerikan.

Së paku 10 mijë trupa të Gardës Kombëtare nga shtete të ndryshme do të vendosen të shtunën në Washington.

Shumica prej tyre do të jenë me shenja të dallueshme. Oficerë me uniforma, postblloqe, detektorë metalikë dhe rrethoja do të shihen gjithandej.

Në ditën kur AP-ja ka siguruar pamje të trupave të Gardës që po shkonin nga Marylandi në kryeqytet, demokratët kanë intensifikuar presionin publik ndaj zëvendëspresidentit republikan, Mike Pence, që bashkë me kabinetin, ta aktivizojnë Amendamentin e 25-të për ta shkarkuar presidentin Donald Trump për nxitje të kryengritjes kundër Kongresit.

Nëse Pence nuk reagon, atëherë Dhoma e Përfaqësuesve do të procedojë votimin e rezolutës demokrate për shkarkim të mërkurën.

Njëherësh, dhjetëra pjesëmarrës të sulmit në Capitol janë arrestuar nga autoritetet e sigurisë.

Ndërkaq, FBI-ja ka paralajmëruar se protesta të armatosura në 50 shtete të vendit po planifikohen nga ekstremistë të së djathtës.

BBC-ja ka raportuar për vendosjen e pesëmbëdhjetë mijë trupave në Washington në ditën e inaugurimit të Bidenit.