Deputeti i LDK-së, Avdullha Hoti, nuk ka treguar nëse do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së në zgjedhjet e brendshme të kësaj partia, të cilat do të mbahen në vitin e ardhshëm.

Ai ka bërë me dije se është i gatshëm të ulët me kolegët partiakë dhe të flasin për njeriun që e bashkon LDK-në.

Në emisionin Intervista Nacionale”, Hoti ka folur për preferencat e tij.

Ai ka vlerësuar se Kujtim Shala, Hykmete Bajrami dhe Përpairm Rama janë vetëm disa nga kandidatët që do ta nderonin LDK-në.

“Tani, më lejoni që të mos jap përgjigje të qartë edhe definitive këtu, sepse unë e kam shprehur interesimin, siç e dini, në janarin e këtij viti kur e kishim një kuvend të jashtëzakonshëm, por që kryetari aktual nuk e ofroi dorëheqjen ashtu siç e tha publikisht, po i ndërroi fjalët edhe mandej ndërroi komplet procedurën. Po pavarësisht asaj, pra unë e kam shprehur interesimin tim qysh atëherë”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

“Po unë jam i gatshëm të ulem me kolegët e mi edhe të arrijmë një dakordim për personin i cili na bën bashkë të gjithëve dhe i cili është shpresa e këtij vendi, i jep një vizion të ri, i jep një shpresë që ky vend mund të qeveriset më së pari sipas ligjit dhe Kushtetutës, e mandej me një vizion tamam zhvillimor edhe euroatlantik. Pra, do të jem i hapur që të ulem me kolegët, që të arrijmë në një pajtueshmëri të gjerë se si të lëvizim përpara në zgjedhjet e brendshme të LDK-së vitin e ardhshëm”, është shprehur ai.Reklamë

Ai ka bërë me dije se LDK-ja nuk mund të vazhdojë me lidershipin aktual.

“Por një gjë është e qartë, besoj për të gjithë ne – kush nuk e ka të qartë ende e ka shumë gabim – që LDK-ja nuk mund të vazhdojë me këtë qasje që ka pasur deri më tash. Unë pres që edhe lidershipi aktual të ndihmojë këtë proces të tranzicionit që LDK-ja duhet ta ketë gjatë vitit 2027 tek një lidership i ri që ka dinamikë, që ka vizion, që e përbashkon LDK-në, që kthehet në filozofinë e veprimit të LDK-së”, ka deklaruar ai.

Duke folur për kandidaturat tjera të mundshme, ai ka shprehur vlerësime të larta për disa nga kolegët e tij.

“Këta të tre, ndoshta dhe një, dy a tre të tjerë, për mendimin tim, cilido që e merr mbështetjen në LDK i bën nder LDK-së, edhe besoj që e kryen detyrën me nder e me përkushtim, e na kthen aty ku duhet të jemi si Lidhje Demokratike e Kosovës. Por sigurisht gara ka me qenë e hapur. Këta emra që i përmendët, ndoshta edhe të tjerë mund të hyjnë në garë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, zgjedhjet duhet të jenë transparente.

“Ajo që unë jam i interesuar dhe që do të angazhohem është që zgjedhjet të jenë të hapura, të jenë transparente plotësisht, të jenë statutare. Dhe e kam parasysh çka po nënkuptoj me këtë, sepse është tepër e rëndësishme që zgjedhjet në LDK të jenë statutare, të mbahen prej nivelit të nëndegëve e deri tek Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, të mbahen sipas statutit të LDK-së”, është shprehur ai.