Nga rezultatet pjesërisht të numërimit të votave, rrezikohet që tre ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të mos fitojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Rrustem Mustafa, Xhavit Haliti e Nait Hasani, janë tri figurat që nga 20% e votave janë jashtë emrave të projektuar për të siguruar ulëse në legjislaturën e re.

Partia Demokratike e Kosovës projektohet të ketë 22 deri në 23 mandate në kuvendin e ri, bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkaq, Rrustem Mustafa, Xhavit Haliti dhe Nait Hasani renditen në pozitat 29-31 për nga numri i votave të siguruara, pas numërimit të saktësisht 21,30% të vendvotimeve.

Aktualisht, ata kanë një diferencë prej rreth 600 votash me Rashit Qalajn, kandidatin e fundit për deputet që ndodhet në zonën e mandateve të PDK-së.

Një diferencë e tillë e votave mund edhe të ndryshojë gjatë numërimit të pjesës së mbetur të votave .

Në PDK, treshja që prin është Bedri Hamza me 20,274 vota, Përparim Gruda me 12,910 vota, Arian Tahiri me 11,306 vota.

Ndërsa pas tyre vijnë Uran Ismaili me 9,952 vota, Sala Jashari me 7,185 vota, Vlora Çitaku me 6,934 vota, Ganimete Musliu me 5,360 vota, Arben Mustafa me 4,952 vota, Mërgim Lushtaku me 4,712 vota dhe Enver Hoxhaj me 4,412 vota.