GAP organizon tryezë diskutimi në Vjenë mbi ndikimin e ndihmës shtetërore në tregun e energjisë

Instituti GAP në bashkëpunim me Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (Wiener Institut für Internationale Wirtschaftsvergleiche -wiiw) prezantuan raportin “Ndikimi i ndihmës shtetërore në tregun e energjisë elektrike në Ballkan”. Raporti trajton problematikën e ndihmës shtetërore në sektorin e energjisë elektrike, duke marr si shembull konkret rastet në Kosovë, Bosnje, Serbi dhe disa nga vendet e Bashkimit Evropian. Raporti u prezantua në tryezën e diskutimit e cila u mbajt në hapësirat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë.

Në hapje të diskutimit, Nora Latifi-Jashari, drejtoreshë ekzekutive e Institutit GAP, dhe Elizabeth Hagen, drejtoreshë ekzekutive e wiiw, treguan mbi bashkëpunimin në mes të dy organizatave që nga korriku i vitit 2018 dhe përpjekjet e përbashkëta për intensifikimin e bashkëpunimit në mes të organizatave jo qeveritare në Kosovë dhe organizatave në vendet e Evropës.

Blend Hyseni, hulumtues në Institutin GAP, prezantoi raportin e GAP dhe wiiw, në të cilin trajtohet problemi i ndihmës shtetërore në projektet e reja energjetike me bazë linjitin në vendet si Kosova, Bosnja dhe Serbia, projekte të cilat bien ndesh me direktivat e BE-së për liberalizimin e tregut energjetik. Ndër të tjera, z.Hyseni theksoi se Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka fuqi ligjore të kufizuar për ndalimin e projekteve që përbëjnë ndihmë shtetërore, kurse departamentet për ndihmë shtetërore brenda vendeve kontraktuese nuk kanë pavarësi të plotë.

Dirk Buschle, zëvendës drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, foli rreth fushëveprimit të institucionit të tyre si dhe negociatave për rishikimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë që synon të përshijë parime që fuqizojnë dhe pavarësojnë zyrat për ndihmë shtetërore në vendet kontraktuese.

Ndërsa, Arben Kllokoqi, ekspert i energjisë elektrike në Komunitetin e Energjisë, foli rreth kontratave për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Ai theksoi se garantimi i çmimit dhe blerjes së energjisë elektrike, mbulimi i rreziqeve (kreditore, atyre të tregut, TVSH-së) dhe kostove tjera që tracionalisht lidhen me prodhuesit (sikurse përdorimi i sistemit, imbalancat) janë disa nga pjesët e kontratave të nënshkruara në mes të institucioneve të Kosovës dhe ContourGlobal që përbëjnë ndihmë shtetërore dhe kërkojnë rishikim nga Komisioni për ndihmë shtetërore në Kosovë. Sipas tij, komentet e Sekretariatit rreth pikave më lartë nuk janë adresuar ende nga institucionet gjegjëse në Kosovë.

Marie-Therese Richter, eksperte ligjore në Komunitetin e Energjisë, foli rreth bazës ligjore që përkon me ndihmën shtetërore bazuar në legjislacionin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe atij të vendeve kontraktuese. Znj.Richter prezantoi edhe rastin e “Kolubara B” në Serbi dhe “Tusla 7” në Bosnje, që përbënin garantim të kredive nga shtetet në fjalë si dhe transfer të pronës shtetërore tek përfituesi (në rastin e “Kolubara B”).

Ndërsa, Shkumbin Asllani, këshilltar ligjor i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik në Kosovë, theksoi se sipas vlerësimit të Qeverisë së Kosovës transkacioni për ndërtimin e “Kosovës së Re” nuk përbën ndihmë shtetërore dhe është në vijë me legjislacionin në fuqi në Kosovë si dhe me Traktatin e Komunitetit të Energjisë.

Në debat kontribuuan edhe te ftuarit tjerë nga fusha e mediave, akademia dhe shoqëria civile.

Raportin në gjuhën angleze mund ta gjeni të bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar KËTU. Versioni i përkthyer në gjuhën shqipe do të publikohet ditëve në vijim.