Gani Geci: Pse i prisha raportet me Sabit Gecin? VIDEO

Ish-luftëtari i UÇK-së dhe anëtari i LDK-së, Gani Geci, ka thënë se akuzave të ish-bashkëluftëtarëve të tij, Sabit Gecit dhe Brahim Qorrit, do t’iu përgjigjet me të vërtetën dhe se atë e bën që 20 vjet.

“Unë kam ardhur për të thënë të vërtetën dhe jo për të reaguar. Është një e vërtetë e madhe dhe më e madhja në historinë e pasluftës pas komunikatës numër 59 kur jam plagosur unë dhe m’u kanë vrarë dy shokë”.

“Komunikata 59 e vitit 1998 në emër të shtabit të përgjithshëm ku kanë reaguar Zona Operative e Drenicës dhe të gjithë, përfshirë edhe Sami Lushtakun. Sabiti e tha që krejt Drenica e ka ditur që është rrenë. Por, megjithatë, ata e kanë shkruar që unë të mos jem më këtu, sepse kur të shkruash se i ke pri ofansivës serbe me maskë secili ushtar e ka pasë të drejtën të të fusë në nishanin e tij. Mandej e them se ka pasë edhe të tjerë në nishan dhe ka pasë edhe lista”.

“Rexhep Selimi e ka thënë publikisht se ‘ia kam borxh jetën Gani Gecit në qoftë se komunikatën numër 59 nuk e ka shkruar Hashim Thaçi’. Për t’u demantuar kjo duhet që vet Thaçi, apo ndonjë gjykatë ta dëshmojë të kundërtën, por kjo është një temë që është mbyllur”.

Gani Geci në Zona B ka treguar se si ka ardhur deri te prishja e marrëdhënieve mes tij dhe kushëririt Sabit Geci.

“Sa i përket Sabitit, ne jemi kushëri dhe bashkë kemi qenë deri kur ai është plagosur. Por, atë nuk e ka shëruar Bajram Rexhepi, por Sami Beqiri. Unë e di saktë, sepse kam qenë aty. Kur Sami Beqiri e ka shikuar këmbën e Sabitit e ka parë që është infektim i shkallës së tretë dhe pa injeksion e ka prerë me brisk. Haxhiu, vëllai im, e ka dërguar këtu për shërim. Por, pastaj Shtabi i Përgjithshëm apo kush i ka thënë Sabitit që ‘ti duhet t’i prishësh marrëdhëniet me vëllezërit Geci, konkretisht me Ganiun dhe me të tjerët’. Më pas Sabiti më ka thënë: ‘Ti nuk ke nevojë të vish më me pa’”.

“Krejt të këqijat që i ka bërë Sabiti i ka shpërlarë me luftën që e ka bërë. Kishte qenë mirë që Sabiti ta dijë se kush e shtiu kundër nesh”.

Të hënën, në Zonën B, Sabit Geci e kishte akuzuar Gani Gecin për vrasjen e Abedin Rexhës (Sandokanit). Po ashtu ai e ka akuzuar edhe për shpifje dhe vrasje të tjera.