Galaxy Fold së shpejti në dispozicion në më shumë vende

Disponueshmëria e telefonit Samsung Galaxy Fold së shpejti do të zgjerohet në më shumë vende, sipas The Korea Herald.

Japonia, Meksika, Polonia dhe Zvicra do të shtohen në listën e vendeve ku Fold do të jetë në dispozicion, ku këto vende do t’i bashkohen tregjeve të Koresë së Jugut, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Singaporit.

Për Korenë e Jugut, Samsungu tashmë po e përgatit kontingjentin e tretë të telefonave – kompania po e shet telefonin e saj në dërgesa prej 10,000 njësive. Edhe pse e ka një çmim të lartë, telefonat Galaxy Fold po shiten brenda disa minutave.

Sipas analistëve të tregut, Samsungu tashmë i ka shitur 20,000 modele Fold në dy dërgesat e mëparshme.

Zyrtarët e industrisë sugjerojnë se kjo është më shumë një vegël marketingu, për t’ia rritur vlerën telefonit përtej disponueshmërisë së tij të limituar. Ata theksojnë se Samsung Display i ka përgatitur 100,000 panele ekranesh fleksibile, megjithëse disa prej tyre janë rezervuar për servisim.

Pritet që edhe një treg tjetër i rëndësishëm ta ketë Galaxy Fold, përkatësisht Kina. Kjo do të ndodhë më 1 nëntor, ndërsa në këtë treg Galaxy Fold do të garojë me modelin Huawei Mate X, i cili pritet të dalë në shitje në fund të tetorit.

loading…