Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me ndërmjetësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, për të folur mbi tematikat e rëndësishme të bisedimeve mes palës kosovare dhe asaj serbe.

Lajçak e përshkroi si “jo të lehtë” takimin mbi këto tema, mirëpo e falënderoi Bislimin për, siç e quajti ai, “qasjen konstruktive dhe gatishmërinë për të gjetur zgjidhje”.

“Faleminderit Zëvendëskryeministër i Kosovës, Besnik Bislimi, që erdhe në Bruksel sot. Diskutimet tona për tematikat e rëndësishme për dialogun nuk ishin aq të lehta. E çmoj qasjen konstruktive të tij dhe gatishmërinë për të gjetur zgjidhje”, deklaroi ai.

Mirëpo, Bislimi në fotografinë e shpërndarë nga Lajçak, shihet të ketë bërë një veprim të pazakontë në takimin diplomatik me të. Ai ka vendosur telefonin e tij në tavolinë, në momentin kur është shkrepur fotografia.

Një veprim i ngjashëm është parë edhe nga kryediplomatja kosovare, e cila përgjatë një takimi që mbajti bashkë me kryeministrin Albin Kurti me kryediplomaten australiane, u pa duke qëndruar në telefon.

Bislimi së fundmi ka bërë një skandal diplomatik, duke u përgënjeshtruar nga Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, për detaje që jepte ky i pari nga takimi me këtë të fundit.

Numri dy i Qeverisë Kurti është arsyetuar për këtë veprim në një intervistë, duke thënë se “nuk është Zëvendëskryeministër i Twitter-it, por Kosovës”. /Lajmi.net/