G7 i kërkoi sot Rusisë lirimin e 24 marinarëve dhe tre anijeve ukrainase të bllokuara që prej përplasjes në Detin Azov, duke i bërë presion Moskës të mos pengojë lundrimin e anijeve në ngushticën e Kerçit, pasi konsiderohet si një kalim ndërkombëtar.
“Asgjë nuk e justifikon përdorimin e forcës ushtarake nga ana e Rusisë ndaj anijeve dhe ekuipazhit detar ukrainas”, bënë të ditur përfaqësuesit e G7-tës, grupi joformal i fuqive të mëdha i përbërë nga Kanadaja, Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Britania e Madhe, SHBA-ja, të cilëve u është bashkuar dhe Unioni Evropian.
“Shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës në ngushticën e Kerçit dhe ujërat përreth që janë bërë shkak i intensifikimit të tensioneve”, deklaruan krerët e diplomacisë së vendeve të G7-ës në një komunikatë të publikuar nga Otava, e cila këtë vit mban presidencën e radhës.







