Kryeministri i Kosovës

“Fyerje”, “na boni rezil”: Reagime për deklaratën e Kurtit për kryeministren e Italisë dhe zëvendësin e saj

Një intervistë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhënë për një gazetë italiane gjatë qëndrimit të tij në këtë shtet, ka shqetësuar zyrtarë të opozitës dhe analistët e politikës. Kurti në këtë intervistë ka treguar “sinqerisht” se mendonte që kryeministrja italiane Giorgia Meloni ishte lidhur me të kaluarën e saj fashizmin dhe ishte skepitk për zgjedhjen e saj si kryeministre e Italisë. Por, përveç kësaj, Kurti nuk e la keq as për zëvendëskryeministrin e Italisë.

Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti po qëndron për vizitë në Itali, ku po merr pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropian (PES).

Gjatë qëndrimit në këtë shtet, Kurti ka dhënë edhe një deklarim për gazetën italiane “AGI”.

Ai ka folur për çështjet politike në Kosovë, por theks të veçantë mori deklarimi i tij për kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni dhe zëvendëkryeministri, Matteo Salvini.

“Ka ende probleme në kufirin me Serbinë. Fatkeqësisht ata që u pasuruan me luftën janë kthyer në kriminelë dhe vazhdojnë të pasurohen me bitcoin, drogë dhe armë. Ata e mbulojnë biznesin e tyre me ide nacionaliste, por janë ende kriminelë.” – ka thënë Kurti, duke shtuar se Lista Serbe ka lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë.

Kurti ka thënë se ishte skepik për përzgjedhjen e Melonit si kryeministre e Italisë, për shkak të kaluarës së saj, që sipas Kurtit, lidhet me fashizimin.

Mirëpo, Kurti ka thënë se pasi Meloni filloi punën si kryeministre, ka vërejtur se ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera me partnerët ndërkombëtarë si dhe mbështetja ndaj Ukrainës ka qenë e palëkundur.

Ndërkaq, për Salvinin, Kurti ka thënë se ai ka marrëdhënie me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën e konsideroja Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të djathtë, me fashizmin. Që kur u bë kryeministre kam vënë re marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me Bidenin dhe SHBA-në, mbështetjen e palëkundur për Ukrainën. Jo kështu për Salvinin që ka marrëdhënie me Putinin.” – citohet të ketë thënë Kurti në këtë intervistë.

E këto qëndrime të Kurtit, nuk i kanë pëlqyer, nënkryetares së PDK-së, nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku.

Ajo deklarimin e Kurti e ka cilësuar si fyerje ndaj kryeministres së Italisë, duke thënë se Kurti po sillet si analist.

“Në një intervistë për mediumet italiane, sukseshëm paska arritur të fyej edhe Kryeministren e Italisë Meloni, dhe zv Kryeministrin Salvini. Nuk është detyrë e Kryeministrit të Kosovës tu bëjë analizë ideologjike zyrtarëve italian. Aq më pak publikisht.” – ka shkruar Çitaku.

“Detyrë e tij është fuqizimi i raporteve të Kosovës me botën. Po kam dëshirë me besu që është ndonjë lapsus nga ana e gazetarit.” – ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.

Ndërkaq, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë se Kurti që 10 ditë nuk është në Kosovë teksa gjen kohë që të komentojë liderët italian.

“Kryeministri i Kosovës nuk ka qenë në Kosovë për 10 ditë rresht. Por ai gjeti kohë për të dhënë një intervistë në Itali, ku komenton liderët italianë, se si ai “dikur mendonte se Meloni është një fashist” dhe “Salvini është një shok i Putinit”. Pse? Pse duhet të përzihet Kurti në politikën e fqinjëve?” – ka shkruar në rrjetin social “X”.

Edhe analisti i politikës, Ilir Mirena, ka thënë se Kurti po e bën atë që Serbia nuk ka mundur ta bëjë me dekad, pra dëmtimin e raporteve me aleatët e Kosovës.

“Ate qe s’mundi ta beje Serbia per dekada, po e ben Albin Kurti. Dhe ate, ne me pak se nje mandat qeverises… Mundesisht mos ja le Kosoves asnje mik e aleate. Shkaterroji te gjitha raportet e Kosoves me perendimin per te cilat eshte deshte angazhim kolosal me dekada nga atdhetaret me te spikatuar te ketij vendi…” – ka shkruar ai.

“Gjeniu yne, na boni hore e rezil!” – ka shkruar Mirena në Facebook, duke shtuar që Italia ka më së shumti ushtarë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Kujtojmë se Kurti në vazhdimësi është kritikuar për dëmtimin e raporteve me aleatët evropianë, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

VIDEO BONUS: Marrëveshjet ndërkombëtare, Kusari-Lila: Jemi në koordinim me opozitën për votim