Fushata e Rusisë për ta rishkruar historinë e Luftës II Botërore po përçan Ballkanin, siç ka planifikuar Putini

Këtë janar, një ekspozitë e titulluar “Shtegu i fitores” u hap në Sarajevë nën kujdesin e Ambasadës Ruse. Ekspozita përbëhet nga dokumente dhe postere për rolin e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Siç shkruan Hikmet Karçiq në Haaretz në hapjen e ekspozitës, ambasadori rus tha: “Ajo që i bashkon popujt tanë është interpretimi i përbashkët i historisë ndaj nazizmit. Ekspozita e sotme është një grup faktesh rreth ngjarjeve të vërteta nga periudha e luftës”.

Por, sipas tij, është gjithnjë më e qartë se “asnjë interpretim i përbashkët i historisë” veçanërisht në lidhje me Luftën e Dytë Botërore nuk e lidh Rusinë me rritjen e numrit të shteteve, nga Polonia deri në Baltikë. Dhe tani Kremlini duket i përkushtuar të shpërndajë versionin e tij partizan, në mos revizionist të “fakteve të vërteta” rreth Luftës së Dytë Botërore gjithashtu në gjithë Ballkanin.

Ai thotë se kjo është hera e parë që një ekspozitë e tillë është mbajtur në Sarajevë. Aktivitetet kulturore të Ambasadës së Rusisë në Bosnje dhe Hercegovinë janë zakonisht të fokusuara në pjesë tjera, në etninë e serbëve të Bosnjës, ku akademikët rus dhe institucionet kulturore tashmë e kanë një histori të mirëkrijuar në bashkëpunim.

Karçiq thotë se, revizionizmi historik është një përbërës i spikatur i fuqisë së butë ruse, dhe “kulti i fitores”, triumfi i atëhershëm i Rusisë Sovjetike mbi nazizmin, i paraqitur si një arritje e njëanshme, është thelbësore si strategji. Fokus kryesor i triumfit është 9 maji, Dita e Fitores, me të cilën përkujtohet dorëzimi i nazistëve.

Sipas tij, këto aktivitete janë parë si pjesë e përpjekjeve më të gjera të Kremlinit për të ndryshuar ose falsifikuar atë që pranohet si e vërtetë historike dhe përhapja e tyre në vitet e fundit ka shkaktuar reagim të fortë nga Polonia dhe shtetet e Baltikut.

Ai thotë se në një deklaratë të përbashkët mjaftë kritike, presidentët e Lituanisë, Estonisë e Letonisë kanë kritikuar Rusinë për keqinterpretimin e ngjarjeve që janë të lidhura me Luftën e Dytë Botërore dhe ngjarjeve pas saj, dhe kanë bërë të qartë që jo vetëm historia është në rrezik.

Karçiq thotë se revizionizmi i Rusisë sipas fjalëve të tyre, “ishte përpjekje për të falsifikuar historinë dhe për të vënë në dyshim themelin e rendit bashkëkohor të bazuar në rregulla ndërkombëtare”.

Sipas tij, aktivitete të tilla janë bërë të zakonshme viteve të fundit në Ballkan. Megjithëse në shkallë të vogël, ato e bëjnë të rëndësishme ndikimin e Rusisë në rajon.

Ai shkruan se këtë vit, Rusia e udhëzoi ambasadorin në Bosnje dhe Hercegovinë që të marrë pjesë në përvjetorin e Banja Llukës, së bashku me spektrin politik të Bosnjës.

Karçiq shton se Kremlini ishte duke dërguar mesazh të qartë në shtetet e Ballkanit “ne ju konsiderojmë si pjesë të rrëfimit tonë dhe sferës së ndikimit”.

Ai thotë se ultranacionalisti Mirolad Dodik ishte konkret kur tha se: “fitorja ndaj nazistëve ishte e mundur pasi që njerëzit e Bashkimit Sovjetik, ashtu si njerëzit e Jugosllavisë ishin serb dhe bënë sakrifica të pamatshme për lirinë”. Ai shtoi: “Po të mos ishte ajo sakrificë, ne as sot nuk do të ishim duke e festuar lirinë e Evropës”.