emërim

Fusha e Futbollit në Mitrovicë emërohet me emrin e nipit të heroit Xhevat Jusufi

Me emrin e nipit të heroit Xhevat Jusufi, i cili mbante të njëjtin emër pas vdekjes së heroit, është emëruar një fushë futbolli në Mitrovicë.

Xhevat Jusufi i dytë kishte humbur jetën në një aksident komunikacioni.

Në ceremoninë e emërimit të kësaj fushe ishin të pranishëm Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka dhe drejtorët e drejtorive komunale.

Gjithashtu kryetari Bahtiri me delegacionin e tij, bënë homazhe tek lapidari i Xhevat Jusufit i cili ishte komandatit i UÇK-së për logjistikë i Zonës Operative të Shalës dhe në varrëzat e dëshmorëve në Shipol me rastin e 20 vjetorit të rënies së tij në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë.

Në këto homazhe ishin të pranishëm edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, familjarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri e vlerësoi lartë angazhimin e Xhevat Jusufit, në luftën për liri. ‘’Xhevati ishte një figurë e rëndësishme për rajonin e Shalës së Bajgorës dhe tërë Mitrovicës, i cilu u vu në shërbim të atdheut dhe popullit, për të dhënë kontributin e tij për të larguar okupatorin nga Kosova. Xhevat Jusufi me veprën e tij bëri që të ketë përmasa gjithëkombëtare dhe ishte pasardhës i trimave të Shalës së Bajgorës, si Isa Boletini, andaj me plotë meritë edhe e mban titullin e lartë Hero i Kosovës’’, ka thënë Bahtiri.