Funksionalizohet sistemi i avancuar i komunikimit në FSK

Një sistem i avancuar komunikimi me radiolidhje është funksionalizuar në 93 automjete taktike të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Siç ka njoftuar Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së, ky sistem radiolidhjesh është donacion i Ushtrisë amerikane e cila bashkë me të ka bërë edukimin dhe trajnimin e personelit adekuat të ushtarëve kosovarë, për përdorimin dhe konfigurimin e pajisjeve të këtij sistemi.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se ky është ndër donacionet e shumta të popullit amerikan, pa të cilat ka thënë se FSK-ja s’do të ishte në nivelet që ka arritur.

Tutje, ai ka thënë se ky sistem do të mundësojë ndërveprim më të mirë të FSK-së por edhe të kësaj trupe ushtarake me partnerët e saj.

Ndërsa koloneli Steve Rose nga ambasada amerikane në Prishtinë lavdëroi punën e bërë nga FSK-ja duke shtuar se ky sistem do të jetë në shërbim të ndërveprueshmërisë dhe komunikimit të suksesshëm.

Gjatë këtij takimi, Shefi i G6-s të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, Kolonel Gyrner Murati, paraqiti punën e bërë me trajnimin e stafit të ushtarëve që u certifikuan sot, duke demonstruar praktikisht punën e këtyre radiolidhjeve të montuara në një sistem prej 93 automjetesh taktike.