Ftohja e motit, nisin ankesat e qytetarëve ndaj Termokosit

Që nga 15 tetori ka filluar furnizimi me ngrohje në Prishtinë. Ngrohja në kryeqytet vazhdon deri në muajin prill, por varësisht nga kushtet klimatike sezoni i ngrohjes mund të shkurtohet ose të zgjatet.

Mirëpo, ngrohja nuk ka filluar edhe për banorët e rrjetit të ngrohjes në afërsi të Pallatit të Rinisë. Nga “Termokos” kanë thënë për Express se kjo është bërë si pasojë e një rrjedhjeje që ka ndodhur.

Temperaturat e ftohta të dimrit, qytetarët e Prishtinës të cilët janë të kyçur në ngrohjen e qytetit kanë mundësi t’i përballojnë më lehtë. Mirëpo, këtë fillim të furnizimit me ngrohje nuk kanë pasur fatin ta gëzojnë banorët që jetojnë në ndërtesat që gjenden në afërsi të Pallatit të Rinisë.

Një banore ka thënë për Express se gjatë ditëve të ftohta të këtij muaji, i është dashur të përdorë alternativa tjera të ngrohjes, pasi Termokosi nuk e ka lëshuar ngrohjen e qytetit në ndërtesat në lagjen e saj.

“Ngrohja nuk ka fillu në banesën ku unë jetoj, më është dashtë me e ble një ngrohëse këto ditë sa ishin temperaturat më të ulëta. Por, mirë që s’ishte muaji shumë i ftohtë”, ka thënë T.K.

Ndërsa nga ndërmarrja Termokos kanë thënë se shkaktare e gjithë kësaj është një rrjedhje e cila ka ndodhur në “një pozicion shumë kritik”, prandaj deri në ndreqjen e saj nuk mund të furnizohen qytetarët me ngrohje.

“Në rrjetin e ngrohjes në afërsi të Pallatit të Rinisë është evidentuar një rrjedhje në një pozicion shumë kritik. Për këtë arsye furnizimi me ngrohje për ndërtesat në afërsi dhe Pallatin e Rinisë është ndërprerë deri në sanimin e rrjedhjes së paraqitur. Megjithëse, intervenimi në këtë pozicion ka qenë ndër më të komplikuarat që kryhen nga ekipet tona, është punuar intensivisht për sanimin e këtij problemi”, ka thënë Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka-Fejzullahu.

Ajo tutje ka thënë se një pjesë e konsiderueshme e rrjetit të ngrohjes, në mbi 70 kilometra gjatësi gypore, është instaluar që nga vitet e ‘70’ta, prandaj si pasojë e amortizimit dhe korrozionit është dëmtuar shumë, duke e ditur këtë, kohë pas kohe paraqiten probleme të kësaj natyre.

“Pra, pasi që infrastruktura e rrjetit të ngrohjes është nëntokësore, është e pamundur, që ne paraprakisht ta dimë se kur dhe ku do të paraqiten probleme ndërkohë, apo që t’i parashikojmë ato ende pa u paraqitur rrjedhjet në rrjet. Ajo që vlen të ceket është se në momentin që paraqiten këto probleme ekipet tona mobilizohen për intervenim dhe në afatin sa më të shpejtë të mundshëm kryejnë të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për të evituar problemin dhe për të rikthyer ngrohjen për konsumatorët tanë”, ka theksuar Uka-Fejzullahu

Ndërkaq, nga Termokosi po ashtu kanë thënë se punimet në këtë pozicion janë në proces dhe pritet që ngrohja për konsumatorët e kësaj pjese të rifunksionalizohet gjatë ditës së martë.

Kujtojmë se Termokosi që nga sezoni i vitit 2014/15 përdor metodën e koogjenerimit për ngrohje, duke kontribuar kështu edhe në uljen e ndotjes së ajrit në kryeqytet.