Fatmir Ajeti është i ftuari i radhës për intervistim nga Gjykata Speciale.
Këtë e ka bërë të ditur Nasim Haradinaj nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
“Sapo u informova se i ftuar nga Gjykata Speciale është Fatmir Ajeti nga Prishtina”, shkruan ai në Facebook.
Sot gjatë ditës është konfirmuar ftesa edhe për një tjetër luftetarë të UÇK-së.
Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, ka njoftuar se Gjykata Speciale ka dërguar edhe një ftesë. Bëhet fjalë për veteranin e UÇK-së, Afrim Bytyqi.
“Sapo u njoftova se është ftuar nga Gjykata Speciale veterani i luftës së UÇK-së Afrim Bytyqi nga Kishnica”, shkruan Gucati në Facebook.
OVL e UÇK-së, ditë më parë ka njoftuar se do të organizojë protestë me kërkesën për zhbërjen e Speciales.
Kjo Gjykatë, para pak ditësh ka njoftuar për akuzën ndaj Presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Publikimi i kësaj deklarate ka ngjallur reagime të shumta në opinionin vendor dhe ndërkombëtar, duke e konsideruar si shkelje të praktikave të drejtësisë.







