Ftesa e Speciales për Selimin, vjen reagimi i Haradinajt

Ish-komandanti i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Daut Haradinaj, ka reaguar pas ftesës së Rexhep Selimit për intervistim nga Specialja.

Ish-komandanti i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Daut Haradinaj, ka reaguar pas ftesës për intervistim të Rexhep Selimit nga Specialja javën e ardhshme në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

“Do dalësh faqebardhë Rexhë, pastër si lufta e UÇK-së”, ka shkruar shkurt Haradinaj në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ndryshe, ish-komandanti i UÇK-së Rexhep Selimi, përmes një statusi në profilin e tij në Instagram, ka bërë të ditur se ka marrë ftesën nga Gjykata Speciale.

Ai ka thënë se do të paraqitet në cilësinë e të dyshuarit dhe se intervistimi do të zhvillohet gjatë javës së ardhshme në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Holandë.

Ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale ditë më parë kanë marrë edhe kryeparlamentari në largim, njëherësh kryetari i PDK-së Kadri Veseli, kreu i Komunës së Drenasit, njëri ndër komandantët e UÇK-së në Zonën e Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Elshani, Durmish Gashi dhe Halil Çadraku, Selim Krasniqi.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 3 gusht 2015, me shumicë votash, kanë votuar ndryshimet kushtetuese, që mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Pas një seance maratonike, pro themelimit të Gjykatës Speciale votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe një abstenoi.

Kundër themelimit të Gjykatës Speciale ishin tri partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.

loading…