FSSHK akuzon Hotin për përfaqësim partiak në Komisionin për reagim ndaj COVID-19
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka shprehur indinjatën e saj në lidhje me përfaqësimin e punëtorëve shëndetësorë në Komisionin Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj COVID-19 nga ana e Zyrës së Kryeministrit.
Në një komunikatë për media thuhet se FSSHK që nga fillimi ka vërejtur se kryeministri Avdullah Hoti ka politizuar përfaqësimin sindikal duke i ftuar individë ish-kandidatë për deputet nga radhët e partisë së tij, LDK, në takime dhe organizime të tilla.
FSSHK duke qenë përfaqësuese e mbi 11 mijë punëtorëve shëndetësorë, bën të ditur se tani e tutje nuk merr përgjegjësi për veprimet që do t’i ndërmerr ky komision me përfaqësues, të cilët sipas kësaj federate, mbrojnë interesat e ngushta politike partiake dhe jo interesat e punëtorëve shëndetësor, përcjell Telegrafi.
Qeveria ka themeluar sot Komisionin Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj SarS CoV2 – COVID-19.
Komisioni i Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj SarS CoV2 – COVID-19, ka për qëllim të shqyrtojë dhe informojë Qeverinë për çështje të caktuara në lidhje më SarS CoV2 – COVID-19 dhe të këshillojë dhe t’i propozojë Qeverisë ndërmarrjen e veprimeve përkatëse për luftimin dhe përballje me SarS CoV2 – COVID-19.
Anëtarët e Komisionit Ekzekutiv, janë:
1. Visar Berisha, Këshilltar i Kryeministrit, kryesues;
2. Pleurat Sejdiu, Oda e Mjekëve të Kosovës, anëtar;
3. Naser Rrustemi, Oda e Infermierëve të Kosovës, anëtar;
4. Fitim Havolli, Sindikata e Infermiereve të Kosovës, anëtar;
5. Blerim Kamberi, Oda e Stomatologëve të Kosovës, anëtar;
6. Arianit Jakupi, Oda e Farmacistëve të Kosovës, anëtar;
7. Naser Ramadani, Shoqata e Epidemiologëve të Kosovës, anëtar;
8. Lul Raka, Shoqata e Mikrobiologëve të Kosovës, anëtar;
9. Lindita Ajazaj Berisha, Klinika Infektive QKUK-SHSKUK, anëtare;
10. Valbon Krasniqi, Klinika Infektive QKUK-SHSKUK, anëtar;
11. Dukagjin Zogaj, Klinika e Alergologjisë QKUK-SHSKUK, anëtar;
12. Naser Syla, Qendra Emergjente QKUK-SHSKUK, anëtar;
13. Lulzim Emini, Asociacioni Kosovar i Anesteziologëve të Kosovës, anëtar;
14. Burim Neziri, Instituti i Patofiziologjisë, Fakulteti i Mjekësisë, anëtar;
15. Rinë Limani Instituti i Patologjisë, Fakulteti i Mjekësisë, anëtare;
16. Burim Seferi, Kryqi i Kuq i Kosovës, anëtar;
17. Iliriana Bajraktari, anëtare;
18. Përfaqësues nga Shoqata e Pulmologëve të Kosovës, anëtar;
19. Përfaqësuesi nga Shoqata e Transfuziologëve të Kosovës, anëtar;
20. Përfaqësues nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë anëtar; dhe
21. Përfaqësues nga Kolegjiumi i Drejtorëve të Shëndetësisë në Komuna anëtar.