FSK zuri vendin e dytë në garën “Cambrian Patrol 19”

Në njërën prej garave ushtarake më prestigjioze në botë “Cambrian Patrol 19″, ekipi i Forcës së Sigurisë të Kosovës arriti që të rrëmbej medaljen e argjendtë, duke u radhitur i dyti në këtë garë.

Gara patrulluese filloi më datën 16 tetor dhe zgjati 48 orë, pa ndërprerë, ku morën pjesë gjithsej 132 ekipe, prej të cilave 34 ishin nga shtetet e ndryshme.

Sipas një njoftimi të FSK, kjo është hera e tretë që FSK-ja po merr pjesë në garën ndërkombëtare ushtarake “Cambrian Patrol“, e cila organizohet nga Brigada e Këmbësorisë 160-të e Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar.

“Përveç Republikës së Kosovës, në garën „Cambrian Patrol 19“ në Mbretërinë e Bashkuar, morën pjesë edhe ekipet e forcave të armatosura të vendeve të rajonit, si nga Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Greqia. Gara “Cambrian Patrol 19“ është një aktivitet shumë sfidues dhe prestigjioz ushtarak që teston të gjitha aftësitë themelore ushtarake të ushtarit të sotëm, duke rritur aftësinë e udhëheqjes dhe nivelin e qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

loading…