Fshati Pjetërshticë i Shtimes vendoset në karantinë, stafi mjekësor testohet për COVID-19

MBAHET MBLEDHJA E IX E SHTABIT EMERGJENT KOMUNAL, PJETËRSHTICA VENDOSET NË KARANTINË

Pas gjendjes së paraqitur me të infektuar në komunë e Shtimes, ku kanë rezultuar pozitiv 9 (nëntë) banorë nga Pjetërshtica dhe 1 (një) nga fshati Vojnoc, sot është thirrur mbledhja urgjente e Shtabit Emergjent të Shtimes për të marrë masat dhe përgjigjen ndaj kësaj situate.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli ka udhëhequr sot Mbledhjen Emergjente të Shtabit Emergjent Komunal. Në këtë takim morën pjesë një pjesë e anëtarëve të SHEK, kryesuesja e Kuvendit, Medina Brahaj, nënkryetari i Komunës, Rrahman Jakupi, Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës, Emin Beqiri, drejtoresha rajonale e IKShPK-së, Sevdije Mehmeti, zv.komandanti i Policisë së Kosovës në Shtime, Bekim Jakupaj, zyrtari Policor, Skender Ramusaj, drejtori i DSHPS, Labinot Beqa, drejtoresha e QKMF-së, Mirditë Qeriqi, këshilltarja e Kuvendit, doktoresha Zarife Rexhaj etj.

Kryetari i Komunës, Naim Ismajli komunikoi para të pranishmëve Vendimin e miratuar nga Ministria, IKShPK dhe Komuna e Shtimes për të karantinuar fshatin Pjetërshticë.

“Banorët nuk duhet të ndihen të shqetësuar me marrjen e vendimit, mirëpo këtë duhet ta konsiderojnë si mbrojtje ndaj shëndetit të tyre” tha kryetari Ismajli. Po ashtu ai përmendi edhe shtroi kërkesën për identifikimin dhe marrjen e sa më shumë mostrave nga fshatrat që kanë rezultuar pozitiv.

Emin Beqiri, drejtor i Policisë rajonale në Ferizaj uroi shërimin e pacientëve si dhe përmendi se Policia e Kosovës tha se ka mjaftueshëm staf për të përballuar karantinën në fshatin Pjetërshticë. Ai përmendi edhe sfidat dhe përvojën e karantinimit në Ferizaj si dhe ofroi përkrahjen në këtë drejtim për komunën e Shtimes.

Sevdie Mehmeti, drejtoreshë rajonale e IKShPK-së tha se është fat që situata në Shtime është ende e menaxhueshme dhe se do të koordinohemi bashkërisht. Apelet janë të rëndësishme për kujdes, të mbahet distanca, familjet të izolohen për 14 ditë dhe se Shtabi Emergjent të jetë i gatshëm për t’ju përgjigjur situatës.

Mirditë Qeriqi, drejtoreshë e QKMF-së parashtroi kërkesën për t’i testuar stafin e QKMF-së si dhe QMF-së në Pjetërshticë për shkak të kontaktit që stafi kanë pasur me pacienten e parë te diagnostikuar në fshatin Pjetërshticë.

Zarife Rexhaj, doktoreshë në QKMF, tha që të shikohet mundësia e stafit për vet-izolim.

Labinot Beqa, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përkrahë mendimin e drejtoreshës se personeli shëndetësor të testohet me urgjencë pasiqë stafi ka kontaktuar mjaftë shpesh me pacienten. Më tutje ai parashtroi kërkesën për rritjen e stafit në QPS për shkak të pakos së Ministrisë e cila do të filloj së zbatuari shumë shpejt.

Kryetari Ismajli, në fund të këtij takimi kërkoi nga të gjithë qytetarët t’i përmbahen rregullave dhe masave të marra nga IKSHPK-ja, ka uruar që situata në komunën tonë të vazhdoj të jetë e menaxhueshme edhe më tej, falënderoi banorët e fshatit Pjetërshticë për menaxhimin e mirë me këtë rast të Iniciativës Qytetare të fshatit Pjetërshticë për mobilizimin e tyre në shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për familjen e prekur dhe ato që kanë nevojë. Kryetari tha se nga këtu si shtab themi se për ne është i rëndësishëm shëndeti i çdo qytetari jo vetëm në Komunën tonë por në të gjithë territorin e Kosovës, andaj QKMF-ja të rrisë kontaktin me QMF-në në Pjetërshticë për të pajisur edhe më tej me kërkesat e tyre, dy rastet e personelit mjekësor të QMF-së në Pjetërshticë do të jenë në kontakt për tu informuar saktë për kohën e vizitave nga pacientët e prekur me Covid-19, dhe mundësia që të jenë në listë për të ju nënshtruar testeve.

Shtabi ka apeluar te të gjithë qytetarët për ndërprerjen e vizitave familjare pasiqë këto po dalin të jenë edhe burimi kryesor në bartjen e infeksionit COVID-19.