Frymëzim Isufaj pason Teuta Sahatqijan në Nju Jork

Kosova ka mbetur pa ambasador të plotfuqishëm në Washington, Bruksel e Londër.

Nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Vlora Çitaku ende mbetet në detyrë deri në emërimin e ambasadorit të ri, edhe në Belgjikë e Angli përfaqësia diplomatike e shtetit udhëhiqet nga të ngarkuarit me punë.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kanë deklaruar se së shpejti do lëvizin me emërimin e ambasadorëve të rinj, por nuk dhanë emra se kush mund të jenë ata.

“MPJD është në fazën finale të konsultimeve të brendshme për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe procedurale për përzgjedhjen e përfaqësuesve të rinj diplomatik në kryeqendrat me rëndësi strategjike për ruajtjen dhe avancimin e interesave shtetërore të Republikës së Kosovës” thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Pos kësaj, në misionin diplomatik të Kosovës  në SHBA, nga ministria konfirmuan se Frymëzim Isufaj ka nisur punën në përfaqësimin e Kosovës në Nju Jork, kjo pas akreditimit zyrtar.

Zëvendëskryetarja e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, Fitore Pacolli, akuzon partitë në pushtet se nuk po merren vesh për emrat që do t’i dërgojnë për ambasadorë të rinj nëpër botë.

Ajo ka treguar se asnjë emër zyrtarisht deri tani nuk është proceduar në Komisionin përkatës.