Fronti tjetër i Ushtrisë së Izraelit: Dhuna ndërmjet kolonëve dhe palestinezëve

Nga: Omar Abdel-Baqui / The Wall Street Journal

Teksa lufton në disa fronte me armiqtë më të rreptë, Ushtria izraelite tashti është nën presion për të adresuar një nga sfidat e saj më të vështira: kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor dhe sulmet e tyre të dhunshme ndaj palestinezëve.

Kohët e fundit, Ushtria izraelite tha se për të rivendosur rendin në kohën e shpërthimit intensiv të dhunës – pas zhdukjes së një adoleshenti 14-vjeçar izraelit, i cili më vonë u gjet i vdekur – dërgoi disa batalione në disa pjesë të Bregut Perëndimor. Përpjekjet po shterojnë burimet ushtarake tashmë të shtrira në shumë vende, që nga lufta në Gazë, pastaj nga nevoja për të mbrojtur kufirin me Libanin dhe nga lufta e vazhdueshme me Iranin dhe përfaqësuesit e tij.

Fokusi në Bregun Perëndimor do ta testojë sërish angazhimin e Izraelit për të trajtuar dhunën e kolonëve kundër palestinezëve, në kuadër të detyrës të cilën – siç thonë grupet e të drejtave të njeriut – Ushtria vazhdimisht nuk e zbaton. Analistët thanë se fakti se Ushtria vepron në fronte të shumta, kjo këtë detyrë e bën edhe më të komplikuar.

“Në përgjithësi, ushtria ka zgjedhur të injorojë dhunën e kolonëve në të kaluarën, por, tani, nuk mund të përballojë që Bregu Perëndimor të shpërthejë gjatë luftës në shumë fronte”, tha Yossi Mekelberg, analist i Lindjes së Mesme në institutin Chatham House me qendër në Londër. “Kapaciteti i tyre nuk është i pakufizuar”.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se është e përgatitur për të gjitha arenat dhe se po i përforcon trupat e veta.

Që nga e premtja e kaluar, kolonët izraelitë kanë sulmuar më shumë se 17 fshatra palestineze, duke djegur shtëpitë dhe veturat dhe duke qëlluar banorët pas zhdukjes dhe vdekjes së adoleshentit hebraik – për të cilin autoritetet izraelite thanë se u vra gjatë një sulmi. Autoritetet palestineze thonë se kolonët pas vetes lanë mbetjet e makinave dhe të shtëpive të djegura, me të paktën pesë palestinezë të vrarë gjatë dhunës, ndërsa dhjetëra të tjerë u zhvendosën dhe u plagosën.

Të shtunën, një zëdhënëse e Organizatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se, nga kolonët, u vra një mjek palestinez teksa trajtonte viktimat e armëve të zjarrit. Ushtria izraelite tha se po e heton incidentin. Izraelitët u plagosën gjithashtu në konfrontimet e javës së kaluar, thonë nga Ushtria.

Gjatë një incidenti të së shtunës së kaluar në fshatin Kusra të Bregut Perëndimor, 23-vjeçarja palestineze Sara Al-Wadi hodhi vështrimin jashtë dritares dhe pa një turmë të burrave të armatosur me armë dhe shkopinj të cilët vraponin drejt shtëpisë së saj.

“Në momentin që i pashë duke u ngjitur në murin tonë të pasmë, dola nga shtëpia ime, hipa në makinë dhe u largova”, tha ajo. Kur u kthye disa orë më vonë, e gjeti shtëpinë e vet të djegur. “Gjithçka brenda ishte zhdukur, krejtësisht”, tha ajo.

Për ato që i quajti abuzime serioze të të drejtave të njeriut kundër palestinezëve, Bashkimi Evropian ka njoftuar sanksione të reja kundër kolonëve të dhunshëm në Bregun Perëndimor, duke i nënshtruar ata ndaj ngrirjes së aseteve dhe ndalimin e hyrjes në vendet e Bashkimit Evropian. Administrata Biden gjithashtu ka njoftuar për sanksionet e reja ndaj grupeve të cilat financojnë kolonët e dhunshëm në Bregun Perëndimor.

Në shenjë të mungesës së njerëzve, Ministria e Mbrojtjes e Izraelit kohët e fundit vendosi që për ushtarët e rregullt të zgjasë shërbimin e detyrueshëm ushtarak nga 32 në 36 muaj dhe të rrisë për pesë vjet moshën e kërkuar për rezervistët – në disa raste deri në 52 vjet. Gjatë luftës, Ushtria në masë të madhe mbështetet te rezervistët dhe disa nga ata gjatë intervistave thanë se në detyrë ishin për më shumë se 110 ditë – që nga 7 tetori. Disa rezervistëve iu dha pushimi, por për t’u thirrur përsëri për misione të reja në zona të ndryshme .

Tërheqja në Gazë ka komplikuar përpjekjet për të zhdukur militantizmin atje. Në javët e fundit, Ushtria izraelite nisi disa misione në Gazën veriore, ku thotë se Hamasi ka dëshmuar aftësinë për t’u rigrupuar në vendet të cilat trupat izraelite i lënë të zbrazëta.

Analistët izraelitë thanë se Ushtria vendosi një numër të madh të trupave në Bregun Perëndimor, për të shuar militantët dhe për të ruajtur sigurinë për më shumë se 500 mijë kolonët izraelitë të cilët jetojnë mes tre milionë palestinezëve. Ushtria nuk e zbulon haptazi morinë e trupave në Bregun Perëndimor apo gjetkë, por analistët thanë se atje janë rreth 20 mijë trupa.

Kobi Michael, analist i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare të Tel Avivit dhe ish-oficer i inteligjencës ushtarake izraelite, tha se me ushtrinë izraelite tashmë të shtrirë në shumë vende, trupat e saj kanë më pak gjasa të reagojnë në mënyrë efektive ndaj rasteve të dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor.

Përveç sulmeve të kolonëve, përleshjet e dhunshme midis trupave izraelite dhe palestineze gjithashtu kanë rritur tensionet në Bregun Perëndimor. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë, të dielën thanë se të paktën 14 palestinezë u vranë në një sulm ushtarak izraelit në Tulkaremin që shtrihet në murin që ndan – me Izraelin – komunitetet palestineze në Bregun Perëndimor. Ushtria izraelite tha se të vrarët në Tulkarem ishin luftëtarë, se arrestoi 15 persona të tjerë dhe se sekuestroi armë gjatë operacionit atje.

Sipas OKB-së, që nga 7 tetori forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 435 palestinezë në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor. Ushtria thotë se afërsisht 80 përqind e tyre ishin të armatosur; zyrtarët palestinezë thonë se shumë prej tyre ishin kalimtarë civilë ose se u vranë për shkak të hedhjes së gurëve.

Qëkur Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor në vitin 1967, një arkipelag me vendbanime izraelite – qytete, qyteza dhe fshatra – është ndërtuar me forcë në tokën ku palestinezët kanë shpresuar se do të jetë pjesë e një shteti sovran në Bregun Perëndimor dhe në Gazë.

Që nga viti 2017 janë shtuar incidentet dhe sulmet e kolonëve kundër palestinezëve, dhe ato janë thelluar më tej që nga 7 tetori – siç thonë nga Kombet e Bashkuara – me incidente të shumëfishta brenda një dite të vetme. Nga OKB-ja thonë se përpara incidenteve të fundit, kolonët vranë të paktën nëntë palestinezë midis 7 tetorit dhe 8 prillit. Sipas OKB-së, dhuna ka zhvendosur më shumë se një mijë palestinezë.

Analistët dhe grupet e të drejtave të njeriut thanë se, në vitet e fundit, Ushtria izraelite ka kufizuar me sukses militantizmin palestinez në atë territor, por nuk ka ndërmarrë veprime efektive për të parandaluar dhunën e kolonëve. Në një deklaratë për The Wall Street Journal, Ushtria izraelite tha se ushtarëve u kërkohet të ndalojnë dhunën e drejtuar ndaj palestinezëve dhe, nëse është e nevojshme, të ndalojnë të dyshuarit derisa të mbërrijë policia. Policia izraelite nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Michael – analisti dhe ish-oficeri i inteligjencës ushtarake izraelite – tha se Ushtria izraelite ka rregulla të qarta të angazhimit dhe se duhet të ofrojë siguri për jetën në të gjitha anët.

“Fatkeqësisht, në disa raste këto rregulla nuk zbatohen në mënyrë efektive. Kemi pasur raste kur disa ushtarë mbyllin sytë dhe në disa pak raste ata madje bashkëpunojnë me disa prej kolonëve”, tha Michael, duke iu referuar sulmeve të kolonëve.

Pamjet e shpërndara nga një fshat palestinez – nga grupi izraelit Yesh Din i të drejtave të njërit – shfaqin kolonët të cilët ia vënë zjarrin një makine derisa ushtarët rrinin pranë tyre. Në deklaratën e saj, Ushtria izraelite tha se sjellja e ushtarëve në video nuk korrespondon me vlerat ushtarake dhe se incidenti është duke u hetuar.

“Pashë disa ushtarë të cilët qëndronin midis kolonëve të armatosur dhe njerëzve tanë, me shpinën e kthyer kah kolonët e pushkët e drejtuara kah të rinjtë tanë”, tha palestinezi Al-Wadi, shtëpia e të cilit u dogj gjatë sulmit.

Dhuna e kolonëve është shqetësimi kryesor për palestinezët në Bregun Perëndimor, veçanërisht në fshatrat e ndjeshme të rrethuara nga kolonitë, tha Khalil Shikaki, drejtor i Qendrës Palestineze për Hulumtime të Politikave dhe Anketave, me bazë në Ramallah. Dhuna rrezikon të nxisë më shumë militantizëm.

Mes rritjes së sulmeve dhe me pak mjete në dispozicion, sondazhi nga kjo Qendër hulumtuese tregon se rreth 40 përqind e palestinezëve të Bregut Perëndimor besojnë se dhuna e kolonëve mund të parandalohet më së miri nga banorët e zonave të cenueshme – nëse ata formojnë grupe të armatosura. Vetëm 23 përqind thanë se Policia palestineze mund ta trajtojë këtë çështje, ndërsa 23 përqind të tjerë thanë se veprimet më të shumta nga Ushtria izraelite do të ishin masat më efektive parandaluese.

Zyrtarët nga Autoriteti Palestinez – i cili në mënyrë gjysmë-autonome qeveris disa pjesë të Bregut Perëndimor dhe i cili koordinon disa çështje të sigurisë me Izraelin – thanë se forcat e tij të sigurisë e shmangin reagimin ndaj sulmeve të kolonëve kundër palestinezëve, për shkak të rrezikut të përfshirjes në përleshje me ushtarët izraelitë, gjë që mund të zgjerojë konfliktin rajonal.

“Po përpiqemi të shmangim shpërthimin e situatës”, tha gjeneralmajor Talal Dweikat, zëdhënës i forcave të sigurisë së Autoritetit Palestinez.

Në muajt e fundit, Administrata Biden vuri sanksione kundër disa kolonëve izraelitë të cilët i konsideron si përgjegjës për sulmet kundër palestinezëve – një ky qortim i rrallë nga ShBA-ja.

“E kemi bërë absolutisht të qartë se Qeveria e Izraelit e ka përgjegjësinë për të kontrolluar dhunën e kolonëve ekstremistë”, tha të martën zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Amin Abu Alia tha se të premten e kaluar, një numër i madh i kolonëve kanë hyrë në fshatin Al-Mughayyir të Bregut Perëndimor – ku ai është kreu i këshillit të fshatit – duke kërkuar informacione për adoleshentin e zhdukur izraelit.

Ai tha se shumë kolonë të armatosur u sulën drejt tyre, ndërsa fshatarët u përpoqën të mbroheshin duke gjuajtur me gurë kolonët të cilët pastaj ua vunë zjarrin disa pjesëve të fshatit dhe të cilët qëlluan mbi palestinezë duke vrarë një fshatar.

“Humbjet janë të rënda”, tha Abu Alia. “Por, mendoj se humbja më e rëndë është të dimë se është zhdukur siguria jonë dhe se sulmet e tilla, si ky, mund të ndodhin në çdo kohë”. /Telegrafi/