Frika nga koronavirusi, llapjanët krijojnë radhë të gjata te fabrika e miellit VIDEO

Virusi Covid-19 i cili deri më tani ka lënë të vdekur më shumë se 4 mijë persona në gjithë botën, ka ngjallur frikë edhe në Kosovë. Ani pse ende nuk ka asnjë rast të konfirmuar në vendin tonë, qytetarët kanë filluar të mbledhin rezerva ushqimore, në rast të përhapjes së virusit

Nga frika e përhapjes së koronavirusit, shumë qytetarë të Podujevës ia kanë mësyrë fabrikës së miellit.

Në një video e cila ka arritur në redaksi, shihen radhë të gjata të qytetarëve të cilët janë nisur drejt fabrikës së miellit.

Ndërkohë, për t’u furnizuar me ushqime e gjësende të tjera higjienike, kosovarët tashmë kanë nisur t’i zbrazin marketet, ani se në vend profesionistët shëndetësorë gjatë gjithë kohës po apelojnë që të mos krijohet panik.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, para pak minutash ka njoftuar se shtatë raste të cilat kanë qenë të dyshuara për koronavirus, kanë rezultuar negative.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës njofton opinionin se gjatë ditës së sotme në Laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare janë testuar 7 mostra të dyshimta për Koronavirus. Pas analizave të kryera, të 7 (shtatë) rastet e testuara kanë rezultuar negative. Sikurse edhe ditëve të kaluara, MSh dhe IKSHPK do ta njoftojnë në kohë reale publikun për rastet e testuara për Koronavirus dhe rezultatet e tyre”, thuhet në njoftim.