Frashër Krasniqi sulmon ashpër Konjufcën: Hipokrizia e VV-së është e frikshme

Ish deputeti i PSD-së dhe ish aktivisti i VV-së, Frashër Krasniqi e ka kritikuar ashpër kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca pas takimit me shefin e ri të EULEX-it në Kosovë.

“E pabesueshme shpejtësia me të cilën VV po nënshtrohet dhe shndërrohet në të kundërtën e vetes. Pas gjithë atyre protestave e burgosjeve kundër EULEX-it, sot Glauk Konjufca paska takuar krerët e këtij misioni duke deklaruar që EULEX është “i nevojshëm për Kosovën””, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, shumë shpejt do të shohim qysh edhe kapja e shtetit nga VV do të bëhet “e nevojshme për Kosovën”.

“Po kaq shpejt kemi me e pa qysh edhe korrupsioni tash e tutje “nuk është aq i dëmshëm për Kosovën”. Hipokrizia e VV-së është e frikshme. E rrezikshme. E papranueshme”, ka shkruar në fund Krasniqi. /Ballkani.info/