Frashër Krasniqi “mesazh” VV-së: Ne shikojmë kah Evropa

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, Frashër Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar lart angazhimin e partisë së tij, me ç’rast edhe kërkon nga parashikuesit e subjekteve tjera siç i ka quajtur ai, që të masin vullnetin e njerëzve të këtij grupi.

“Shumica e njerëzve, në parashikimet e tyre e harrojnë një element shumë të rëndësishëm. Shpeshherë përcaktues. Harrojnë ta masin vullnetin e njerëzve që i takojnë grupit/subjektit që po e masin. Prandaj parashikimet u dalin gabim”.

Krasniqi, më tej shton se anëtarët e PSD-së, janë duke dëshmuar sesi krijohet një subjekt normal dhe se janë duke ndjekur hapat progresiv drejt Evropës.

“Sot, parashikuesit po harrojnë që është një grup i njerëzve që duan aq shumë të dëshmojnë se në Kosovë mund të ndërtohet një subjekt normal, ndryshe nga të gjitha subjektet ekzistuese. Një subjekt që e ka shikimin tek Evropa, tek pjesa më progresive e saj. Tek mirëqenia dhe zhvillimi i saj. Një subjekt normal ku korniza që përcakton qëndrimet e veprimet, është programi e jo lideri. Ku demokracia sjell veprime progresive, dhe nuk lejon mendjengushtësinë që shkakton autoritarizmi. Sa herë që ta vlerësoni PSD-në, nëse doni të jeni më objektiv dhe të saktë, mateni edhe këtë vullnet që e kanë gjithë anëtarët e saj. Është vullnet i madh që sjell punë e angazhim të pashterrshëm”, ka përfunduar Krasniqi. /Ballkani.info/