Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka mungojnë në gjykimin për përleshjen në studio televizive

Pasi kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga ngritja e aktakuzës ndaj dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka, për shkak të përleshjes fizike, Gjykata Themelore në Prishtinë ka tentuar të fillojë gjykimin për këtë rast.

Mirëpo, mungesa e dy të akuzuarve ka bërë që të dështojë të mbahet shqyrtimi fillestar i paraparë të për të martën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit të rastit, Hanefi Jashari, dy të akuzuarit nuk i kanë pranuar ftesat për pjesëmarrjen e tyre në këtë gjykim.

Gjykatësi Jashati tha se nga fletëkthesa e datës 18 qershor 2019 rezulton se i akuzuari Krasniqi është shpërngulur nga adresa e banimit, duke sugjeruar që ftesa ti dërgohej në selinë e Partisë Social Demokrate.

Ndërsa për të akuzuarin Milaim Zeka, gjykatësi bëri të ditur se nga fletëkthesa e datës 25 qershor figuron se adresa e dhënë ka qenë jo e plotë, ashtu që dorëzuesi i postës ka tentuar të kontaktojë me disa banorë nga rruga “Afrim Loxha”, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk e njohin të njëjtin.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësi Jashari mori vendim që e njëjta të shtyhet për datën 7 gusht, me fillim nga ora 09:00.

Gjithashtu gjykatësi Jashari ka informuar se për seancën e radhës dy deputetëve ftesat do tu dërgohen në selitë e partive të tyre, duke shtuar se në rast të mungesës pa arsye, ndaj të njëjtëve do të lëshohet urdhëresë për sjellje me polici.

Më 19 korrik të kë tij viti, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht për ngritjen e aktakuzës në këtë rast, sipas të cilës prokuroria e ngarkon Krasniqin me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Zekën me veprën penale “kanosje”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngjarja ka ndodhur më 29 shtator 2017, rreth orës 17:40, në Prishtinë, në lokalet e objektit të “Klan Kosova”, në studion e emisionit “Info Lokale”, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, në të cilin emision Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka ishin të ftuar në cilësi të Deputetëve të Parlamentit të Kosovës, me temën “Mos funksionalizimi i Parlamentit dhe zgjedhjet lokale”

Prokuroria pretendon se të akuzuarit nuk i janë përmbajtur temës së emisionit për të cilën ishin të ftuar dhe gjatë debatit kanë filluar ta fyejnë njëri-tjetrin dhe për një moment janë ngritur në këmbë dhe kanë filluar të shkojnë në drejtim të njëri-tjetrit, ashtu që i pandehuri Frashër Krasniqi ka filluar ta sulmojë fizikisht Milaim Zekën duke e goditur me grusht në regjionin muror të anës së majtë të kokës, me ç’rast të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Kurse sipas dispozitivit të dytë, në të njëjtën datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, i akuzuari Milaim Zeka, pasi që ishte sulmuar fizikisht nga Frashër Krasniqi, i ishte drejtuar me fjalët “me ty do të merrem pas emisionit”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikësimit se do ti shkaktojë ndonjë të keqe.

loading…