Frashër Krasniqi: Dardan Molliqaj po mbahet në paraburgim

Anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi, i cili ishte arrestuar sot gjatë një aksioni të këtij subjekti politik kundër vendimit të Qeverisë për “tiketat ngjitëse”, ka thënë se kryetari i PSD-së, Daradn Molliqaj po mbahet në paraburgim me vendimin e prokurorisë.

Krasniqi, ka thënë se “pas dhunës së kryepolicit Xhelal Sveçla, prokuroria vendosë në paraburgim kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj”.

“Kur ju doli afera e keqpërdorimit, tentuan të mbrohen duke gënjyer. Kur gënjeshtra u doli shpejt, dhunës i erdhi radha. Aktivistët u arrestuan brutalisht, për një aksion politik krejtësisht paqësor”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook.

“Paralajmërim më të qartë nuk ka. Veç kush s’don me pa e me kuptu: Paratë do t’ia marrin shumicës (sundim i ligjit e formalitet), për t’ia dhënë pakicës (monopole e përqendrim i pasurisë). Kushdo që guxon me i kritiku, arrestohet brutalisht e burgoset”.

“Ky pra është kombinimi i rrezikshëm i autoritarizmit me oligarkinë e pabarazinë”, ka shkruar ai.

Partia Socialdemokrate (PSD) ndërmori një aksion mesditën e sotme në hapësirat pranë ndërtesës së Qeverisë, saktësisht te ish-objekti i “Rilindjes” për të kundërshtuar “tiketat ngjitëse”, ndërkaq tetë nga personat pjesëmarrës në këtë aksion janë arrestuar.