Frashër Krasniqi: Albin Kurti po jep shenja për krijimin e autonomisë brenda Kosovës

Aktivisti i PSD-së, Frashër Krasniqi, ka kritikuar qasjen e ish-bashkëpartiakut të tij që tash është kryeministër, Albin Kurti, për dialogun me Serbinë.

“Problemi fillon me qasjen në përgjithësi të Albin Kurtit në raport me negociatat dhe si po e trajton në aspektin e transparencës dialogun. Çfarë projekti po bart sa i përket dialogut dhe tentimet e vazhdueshme me i mbajt fshehtë ose me i konsideru si joprioritare që flet goxha shumë për një fenomen që e kemi parë me faktin se ka thënë që dialogu nuk do të jetë prioritet ndërkohë po e shohim se dialogu nuk ka se si të mos jetë prioritet. Kurti ka dashur të na thotë ju mos u merrni me prioritet se çka bëj unë në dialog, pra ideja ka qenë që vëmendja e publikut të mos drejtohet kah dialogu. Arsyeja pse po ndodh kjo është shumë e qartë – kjo është një prej qeverive më jotransparente me atë se çka po ndodh në dialog. Në fillim thanë se nuk ka takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiqin, më pas se nuk janë të informuar për këtë takim dhe tash na doli se ka takim, por do të jetë informativ. Ka një evoluim të gënjeshtrës së tyre që për qëllim ka pasë ta mbajë të mbyllur dhe jo transparent krejt këtë proces”.

“Dolën “Non-Papers” ku po shihet qartë që kemi të bëjmë me autonomi të veriut, me Zajednicë me fuqi ekzekutive, me guvernator, qeveri dhe kuvend të veten dhe me përzierje të Serbisë direkte dhe formale në atë pjesë ku duhet të bëhen ndryshime të Kushtetutës që t’ia përshtasë këtë marrëveshje të dëmshme dhe s’kemi asnjë qëndrim nmga ana e Vetëvendosjes që e kundërshton apo tregon që ne nuk jemi për këtë zgjidhje, por jemi për këtë tjetrën. Mos të harrojmë që një prej subjekteve që e ka pasë shumë të qartë qëndrimin për dialogun ka qenë Vetëvendosja. Ne e kemi paralajmëruar qysh para zgjedhjeve që Albin Kurti po jep shenja për krijimin e autonomisë brenda Kosovës”.

Krasniqi në Klan Kosova, ka deklaruar se nëse kryeministri Albin Kurti po shkon dhe po takohet me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, po pranon autonomi brenda Kosovës.

“Nëse ti shkon dhe linjën kryesore që po e ndjek janë [Josep] Borrelli dhe [Miroslav] Lajçaku ti po shkon për autonomi, sepse Lajçaku e ka bërë të qartë për çka është. Nëse je tu shku në linjën e tyre dhe po i takon Lajçakun dhe Borrellin si bashkëpunëtorët kryesorë për dialogun, ti e ke zgjedhur linjën. Ne e kemi pasë një reagim ‘Shkoi Grenelli, erdh Borrelli’. Nëse dikur e kanë zgjedhur Grenellin, sot Albin Kurti po e zgjedh Borrellin që qasjen e ka shumë problematike karshi Kosovës – njëjtë me Lajçakun”.

Frashër Krasniqi i PSD-së ka thënë se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë hequr dorë nga të gjitha parimet dhe projektet që i kanë pasë në të kaluarën për negociatat me Serbinë.