Francë, vaksinimi bëhet i detyrueshëm për punonjësit shëndetësorë

Punonjësit e kujdesit shëndetësor në Francë përballen me pezullim nga puna, nëse nuk janë të vaksinuar kundër koronavirusit.

Vaksinat në këtë vend janë bërë të detyrueshme për punonjësit e kujdesit mjekësor, të shtëpive të të moshuarve dhe të emergjencës.

Data 15 shtator është afati i fundit për ta që të kenë së paku një dozë të vaksinës. Nëse personeli mjekësor është i pavaksinuar, ata duhet të dëshmojnë se kanë kaluar virusin së fundmi.

Nëse nuk i plotësojnë kushtet nga nesër ata do të pezullohen menjëherë nga puna.

Në fund të muajit të kaluar, federata kombëtare e punonjësve të ambulancës, FNMS, vlerësoi se 13% e anëtarëve të saj ishin ende të pavaksinuar.

Ndërkohë, Sindikata CGT ka paralajmëruar për një “katastrofë shëndetësore” nëse një numër i madh i punonjësve të kujdesit shëndetësor pezullohen.

Qeveria e Francës thotë se masat e miratuara nga Parlamenti janë të nevojshme për të mbrojtur pacientët dhe publikun nga rritjet e reja të numrit të të infektuarve. Më shumë se 113,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Francë.

Autoritetet thonë se shumica e të shtruarve në spital javëve të fundit, janë pacientë të pavaksinuar.