Franca

Franca në risk të madh nga terrorizmi për vitin e ri, 95 mijë policë do të angazhohen në festime

Qeveria franceze tha të premten se do të angazhojë më shumë se 95 mijë policë dhe personel ushtarak për festimet e vitit të ri, duke shpjeguar se një “kërcënim terrorist” i shtuar kërkon siguri të rreptë.

Vetëm Parisi, ku priten deri në një milion të pranishëm në Champs-Elysees të dielën mbrëma – dy herë më shumë se vitin e kaluar – do të marrë 6 mijë forca sigurie për të mbajtur rendin.

Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, u tha gazetarëve se dislokimi i së dielës ishte i motivuar nga “një kontekst i një kërcënimi të shtuar terrorist për shkak të konfliktit në Izrael dhe Palestinë”.

Priten më shumë njerëz në rrugët e kryeqytetit se sa vitin e kaluar për shkak të festimeve shtesë për të shënuar 2024 si vit të Lojërave Olimpike Verore dhe Paraolimpike të Parisit, tha Darmanin.

Dislokimi kombëtar do të përfshijë 90 mijë policë ose xhandarë, 5 mijë anëtarë të kontingjentit ushtarak anti-terror Operacioni Sentinelle si dhe njësi të lëvizshme.

Do të ketë një ndalim të pijeve alkoolike në disa zona të Parisit ndërkaq.

Nuk do të lejohen as demonstrata politike, shtoi shefi i policisë së Parisit, Laurent Nunez.

Njerëzit do të kontrollohen me trup përpara se të kenë akses në perimetrin e festimeve përreth Champs-Elysees dhe do të ndalohen të mbajnë “çdo objekt që mund të përdoret si armë”, tha ai.

Dronët do të përdoren për vëzhgim dhe shërbimet e inteligjencës franceze do të vihen në gatishmëri.

VIDEO BONUS: Një nënë e lumtur që djali i saj u bë ushtar i Kosovës: Kemi pasur ushtar edhe para tij