Franca nis aplikimin e masave shtrënguese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, duke mbyllur kufijtë e hyrjes së Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen.

“Ne jemi në luftë. Nuk po luftojmë kundër një ushtrie, por armiku është këtu, është I padukshëm dhe i paprekshëm dhe po avancon”, deklaroi dje presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë fjalimit që iu drejtua popullit francez ku deklaroi dhe masat ekstreme të kufizimit për të përballuar emergjencën e koronavirusit.

Franca po sheh një rritje dramatike të numrit të rasteve me koronavirus në dy javët e fundit, duke raportuar qindra raste të reja cdo ditë. Tani është një ndër shtetet me numrin më të madh të rasteve me COVID-19.

Mbi 100 mijë policë do të dalin nëpër rrugë për të zbatuar urdhrat për bllokim të presidenti, Macron që synon të frenojë shpërthimin e koronavirusit.

Ministri i Brendshëm deklaroi se do të vendosen dhe postblloqe nëpër rrugë.

“Qëndroni në shtëpi”, tha ministri Brendshëm, Christophe Castaner, duke shtuar se në të kundërt do të ketë masa ndëshkuese.