Franca i shpërblen me shtetësi ata që ndodhen në vijën e parë të frontit kundër pandemisë

Qindra imigrantë që po punojnë në vijën e frontit kundër koronavirusit në Francë janë shpërblyer me fitim të shtetësisë me procedurë të përshpejtuar.

Ministria e Brendshme e Francës i ftoi këta qytetarë që po ofrojnë ndihmë në luftën kundër Covid-19 që të aplikojnë për procedurën e përshpejtuar të fitimit të shtetësisë.

Më shumë se 700 persona tashmë e kanë marrë shtetësinë franceze ose janë në fazën përfundimtare për një gjë të tillë, shkruan BBC.

Në mesin e personave që kanë përfituar nga vendimi ka profesionistë shëndetësorë, mirëmbajtës dhe punëtorë të shitoreve.

Punëtorët në vijën e parë të frontit kundër pandemisë në mbarë botën i janë ekspozuar më shumë sëmundjes dhe shumë prej tyre kanë vdekur, përfshirë mjekë dhe infermierë.

Në kushte të zakonshme, një person që aplikon për shtetësi franceze duhet të ketë banuar së paku pesë vjet në Francë, të ketë të ardhura të qëndrueshme dhe të ketë dëshmuar integrim në shoqërinë franceze.

Sidoqoftë, qeveria ka vendosur që punëtorët në vijën e parë të frontit mund ta marrin shtetësinë nëse kanë jetuar vetëm dy vjet në Francë.

Franca është një prej shteteve me numrin më të lartë të imigrantëve në Evropë. Në vitin 2017, në Francë kanë qenë duke jetuar 6.4 milionë imigrantë.