Franca e Gjermania, sërish: Të mos votohet mocioni i mosbesimit

Pas demarshit të ambasadorëve në Kosovë, edhe ministrat e jashtëm të Gjermanisë e Francës u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit, që të mos e votojnë mocionin e mosbesimit. Në një deklaratë të përbashkët, ata kanë thënë se Kosovës i duhet qeveri funksionale.

“Franca dhe Gjermania janë të shqetësuara për gjendjen politike në Kosovë në kohën kur vendit i duhet unitet për t’u ballafaquar me krizën e Covid-19. Kosovës i duhet qeveri stabile dhe tërësisht funksionale për t’u ballafaquar me krizën. Prandaj, kërkojmë që mocioni i mosbesimit për qeverinë të rishqyrtohet ose të shtyhet”, thuhet në deklaratë.

Aty thuhet se Berlini e Parisi e përkrahin planin e kryeministrit për heqjen e plotë të taksës më 1 prill, dhe se pas kësaj dialogu do të rinisë me mbajtjen e Samitit të Parisit të organizuar nga kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron.

“Problemi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje e sigurisë evropiane, prandaj Bashkimi Evropian do të vazhdojë të luajë rolin e lehtësuesit sa më parë që palët të pajtohen për rinisjen e bisedimeve. Do të kemi koordinim edhe me partnerët tanë, mbi të gjitha SHBA-të. Objektivi i dialogut duhet të mbetet normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë nëpërmjet një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, finale dhe legalisht të obligueshme. Arritja e këtij objektivi është kush për të dyja palët që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian”, përfundon komunikata.