Fotografia që preku të gjithë shërohet infermierja italiane – kjo është historia e saj

Një infermiere 43-vjeçare, fotografia e së cilës e tregon atë duke fjetur mbi tastierë u bë simbol i përpjekjeve të palodhshme të punonjësve shëndetësorë në Itali në luftën kundër coronavirusit.

Dhe ajo, siç shkruajnë mediat italiane, tanimë është rikuperuar nga virusi dhe thotë se ajo “nuk mund të presë” për t’u rikthyer në punë.

Bëhet fjalë për infermieren e quajtur Elena, e cila kishte “bërë një sy gjumë” pa i hequr dorezat, maskat, pastrimet dhe mbulesën në kokë, pas një ndërrimi rraskapitës në spitalin e Cremona.

Por siç ishte bërë e ditur, pesë ditë më vonë, ajo kishte dalë pozitiv në testin për coronavirus.

“Nuk mund të pres që të kthehem”, citohet të ketë thënë ajo për mediat italiane.

Derisa kishte folur për mediat, Elena Pagliarinin kishte treguar sfidat me të cilat ballafaqohet çdo ditë.

“Mendoj se të gjithë ne jemi testuar në trup dhe mendje, kjo për faktin se shumë njerëz të sëmurë shohim çdo ditë dhe që kërkojnë ndihmën tonë. Ne fillojmë punën në ora 8 të mëngjesit dhe punojmë për më shumë se 10 orë”, kishte shtuar ajo.

Ndryshe, raportimet e fundit tregojnë shifra të cilat flasin për një rëndim të bilancit të të vdekurve nga coronavirusi në Itali.

Departamenti i mbrojtjes civile tha të enjten se 83,049 njerëz janë të infektuar aktualisht me coronavirus në Itali, 2.477 më shumë se të mërkurën.

Po sipas medieve italiane, përcjell Telegrafi, Departamenti tha se 13.915 njerëz kanë vdekur deri më tani nga coronavirusi në Itali, 760 më shumë sesa të mërkurën.

Ndërsa numri i përgjithshëm i njerëzve që janë infektuar në Itali, përfshirë të ndjerit dhe të rikuperuarit, është 115,242.

Ndërkohë, në nivel global, më shumë se 965,000 njerëz janë diagnostikuar me virus, dhe rreth 203,000 janë shëruar.

Ndërsa sa i përket të vdekurve në nivel global, numri ka arritur në gati 50 mijë, nga sëmundja e cila thuhet se u zbulua për herë të parë në Kinë në fund të vitit të kaluar.