Infermieria

Fotografi prekëse vjen nga Klinika Infektive e cila është mbingarkuar me pacientë: Infermieria shtrihet të pushojë në ballkon nga lodhja

Fotografia e Infermieres Shqipe Kadriu, është bërë virale në rrjetin social Facebook, ku ajo shihet duke pushuar pak momente gjatë orarit të punës në Klinikën Infektive, e cila është e mbingarkuar me pacientë të infektuar me Covid-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), dje ka njoftuar se prej 231 mostrave të testuara nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, kanë rezultuar 122 raste pozitive me koronavirus. Gjithashtu gjatë ditës së djeshme janë shëruar edhe 81 persona nga Covid-19.

Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 2.799 raste nga 23.570 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 49 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

E si pasojë e mbingarkimit të Klinikës Infektive nga pacientët me Covid-19, fotografia e një infermiere është bërë virale dje.

Është infermieria Shqipe Kadriu e cila është fotografuar duke pushuar pak momente gjatë orarit të punës në Klinikën Infektive. Ajo shihet e veshur me rroba mbrojtëse dhe me çizme, derisa është ulur pranë një muri në ballkonin e Klinikës.

Kjo lodhje e saj vjen si pasojë e mbi ngarkesës që është bërë në Klinikën Infektive dhe stafi shëndetësorë atje nuk po ka kohë fare për pushim, madje duke punuar edhe gjatë vikendit.

Më poshtë keni fotografinë e publikuar.