FOTO| Rritet prezenca e KFOR-it në Jarinjë, pas grumbullimit të nacionalistëve serbë

Disa protestues serbë janë mbledhur mesditën e së dielës afër pikëkalimit kufitar në Jarinjë, përkatësisht në pjesën e territorit serb.

Serbët janë duke e mbajtur këtë protestë si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve lokalë që kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës.

Ndërsa KFOR-i ka shtuar prezencën e tij në afërsi të kësaj pike kufitare.

KFOR, para disa ditësh, ka bërë të ditur se ka përforcuar pranin në veriun e Kosovës me trupa dhe patrullime shtesë.

Nga ana tjetër, protestuesit serbë janë dëgjuar duke bërtitur, “Kosova është zemra e Serbisë”.

Serbët të maskuar me maska në veri të Kosovës kanë brohoritur “Fuck NATO”, duke sharë kështu misionin e KFOR-it, i cili po qëndron pak metra më larg.

Policia serbe e ka krijuar një kordon në afërsi të kufirit.

Thirrja për protestë është bërë nga grupet djathtiste, siç është “Patrulla Kombëtare”, si dhe është bërë thirrje që organizimit t’i bashkohen mbështetës tjerë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Sërpska e Bosnje-Hercegovinës.

Në mesin e tyre është edhe Damjan Knezheviq, kreu i grupit jozyrtar të ekstremit të djathtë “Patrulla Kombëtare” nga Serbia.

“Patrulla Kombëtare” njihet për veprimet e saj kundër emigrantëve, për glorifikimin e kriminelëve serbë të luftës dhe mbështetjen për Rusinë në luftën që zhvillon në Ukrainë.

Organizata është e lidhur me grupin e ekstremit të djathtë “Rusov” dhe grupin paraushtarak rus “Vagner”, të cilin e ka vizituar së fundi në Rusi.