FOTO| Kosovës i kushton 10 mijë euro në vit një i burgosur, këtyre dy shteteve të Evropës as 1 mijë

Këshilli i Evropës ka publikuar statistikat penale për 49 vende të Evropës, megjithatë aty nuk përfshihet edhe Kosova.

Në publikimin e KE-së tregohet se Lihtenshtajni ka koston më të lartë vjetore, ku këtij shteti një i burgosur i kushton deri në 1.5 milionë euro në vit, raporton Demokracia.com.

Tjera shtete që paguajnë shifra të lartë për një të burgosur gjatë një viti janë Norvegjia me 121 mijë euro dhe Luksemburgu me 119 mijë euro.

Në këtë raport nuk përfshihet edhe Kosova. Sidoqoftë, Demokracia.com më parë kishte raportuar se një i burgosur që vuan dënimin në burgjet e shtetit kosovar, buxhetit të shtetit për një ditë i kushton rreth 27 euro.

Kostoja mujore në Kosovë për një të burgosur është mbi 800 euro, ndërsa për një vit rreth 10 mijë euro.

Sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor, sipas KE-së, Bosnja e Hercegovina paguan më së shumti në vit për të burgosurit.

Një person që vuan dënimin në burgjet e këtij shteti i kushton buxhetit 28 mijë euro në vit. Ndërkaq, Mali i Zi për një të burgosur, në të njëjtën periudhë kohore, paguan 12.4 mijë euro, kurse Shqipëria gjithsej 9 mijë e 921 euro, raporton Demokracia.com.

Serbia e ka koston mesatare për një të burgosur në vit deri në 9 mijë e 904 euro, kurse Maqedonia e Veriut rreth 9.4 mijë euro.

Sipas këtyre statistikave, Bullgaria, Greqia dhe Danimarka janë tri shtetet që paguajnë më së paku në vit për një të burgosur.

Bullgarisë për këtë periudhë kohore, një person që mbahet në burgjet e saj i kushton rreth 1 mijë e 973 euro, ndërsa Greqisë gati përgjysmë, më 568 euro.

Danimarka është shteti që paguan më së paku nga buxheti i shtetit për një të burgosur në vit. Këtij vendi, kjo i kushton vetëm 119 euro.

Sa i përket Danimarkës, vlen të përmendet se ky shtet ka marrë me qira burgun e Gjilanit, për t’i transferuar rreth 300 të burgosur të saj në Kosovë.

Ditë më parë, ministrja Albulena Haxhiu kishte treguar se shpenzimet vjetore për këta të burgosur do të jenë rreth 5 milionë euro.

Këtu përfshihen shpenzimet për të burgosurit, drejtorin e burgut që do të jetë danez, stafin menaxhues që po ashtu do të jenë danezë dhe gardianët që do të jenë nga Kosova./Demokracia.com/