Miradi

FOTO: Komuna premton riparimin e rrugës me gropa në Miradi të Ulët

Rrugës në fshatin Miradi e Ulët të Fushë-Kosovës ka vite që nuk i është riparuar asfalti.

Një qytetar ka dërguar në KALLXO.com fotografi të rrugës, e cila është e mbushur me gropa dhe ka treguar që me vite të tëra rruga është në këtë gjendje.

Sipas tij, edhe pse rrugët në fshatrat e afërta janë shtruar me asfalt të ri, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me Miradinë e Ulët.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli, ka thënë për KALLXO.com se për rrugën në fjalë ka investuar Komuna dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Sipas Topallit, punimet për asfaltimin e rrugës besohet se do të përfundojnë brenda 20 ditëve.

“Për këtë rrugë është nënshkruar kontrata për fillimin e punëve me kompaninë “Gërguri”. Është investim i MAPL dhe Komunës së Fushë-Kosovës, kështu që besoj që brenda 20 ditësh projekti do të përfundohet”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Komunës.

Fshati Miradi e Ulët kufizohet me Vragolinë dhe Batusën, e cila i përket komunës së Graçanicës.

Ndërsa në të dyja vendbanimet, rrugët janë asfaltuar gjatë dy viteve të fundit.